E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

KRPP “shpëton” shefin e prokurimit të Ardian Gjinit: OSHP kërkoi heqjen e licencës, u dha vetëm një vërejtje

Ndaj

Edhe pse Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) kishte kërkuar që t’i merret certifikata profesionale shefit të prokurimit në Komunën e Gjakovës, Faton Gutaj, Bordi i KRPP-së ka vendosur t’i shqiptojë atij vetëm një vërejtje me shkrim.

Në vendimin e datës 15 maj 2025, të cilin e ka siguruar Kujdestari.info, KRPP sqaron se ka refuzuar kërkesën e OSHP-së të parashtruar më 6 maj për “revokim të certifikatës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit”, duke argumentuar se masat e rënda disiplinore nuk janë të justifikuara.

OSHP-ja kishte konstatuar se Gutaj kishte vepruar në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores për Prokurim Publik, duke mos zbatuar disa vendime të organit shqyrtues, në lidhje me tenderin për ndërtimin e “Rrugës X” në Gjakovë, një kontratë me vlerë mbi 4 milionë euro. Për këtë arsye, OSHP kishte kërkuar që atij t’i anulohej licenca e prokurimit.

Por KRPP, pas shqyrtimit të lëndës, ka vendosur ndryshe. “Në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe duke marrë parasysh rrethana lehtësuese, Bordi vlerëson se nuk janë përmbushur kushtet që do të justifikonin revokimin e certifikatës së prokurimit”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Sipas këtij institucioni, edhe pse AK – Komuna e Gjakovës nuk i ka zbatuar në tërësi vendimet e OSHP-së, ekzistojnë dëshmi se është ndërmarrë një nivel i pjesshëm i respektimit, përmes rikthimit të tenderit në procedurë të rivlerësimit.

KRPP thekson gjithashtu se ndaj zyrtarit Gutaj nuk është evidentuar më parë asnjë masë disiplinore dhe se ai ka treguar “qasje bashkëpunuese dhe profesionale”.

“Vërejtja me shkrim përbën një reagim adekuat dhe edukues që reflekton seriozitetin e situatës, por njëkohësisht ofron mundësi përmirësimi”, ka vendosur Bordi i KRPP-së, duke mbyllur çështjen vetëm me këtë masë lehtësuese.

“Dallavere” me tenderin e rrugës

Tenderi për ndërtimin e “Rrugës X” në Gjakovë ka kaluar disa herë nëpër duar të OSHP-së dhe autoriteteve kontraktuese, pasi vendimet e komunës janë cilësuar si në kundërshtim me ligjin. Fillimisht, komuna kishte shpallur fitues një grup operatorësh me vlerë kontrate mbi 4.2 milionë euro, duke eliminuar disa kompani të tjera.

Pas ankesave, OSHP-ja e kishte kthyer disa herë tenderin në rivlerësim, ndërsa komuna disa herë e kishte anuluar aktivitetin e prokurimit, duke u arsyetuar me ndryshime të projekteve dhe kompetencave të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në një nga vendimet e saj, OSHP kishte gjobitur komunën me 10 mijë euro për moszbatim të vendimeve. Në disa raste, OSHP ka paralajmëruar se mosrespektimi i vendimeve përbën “shkelje të rëndë” dhe se do të kërkonte heqjen e licencës së shefit të prokurimit.

Megjithatë, ky hap nuk u miratua nga KRPP-ja, e cila zgjodhi vetëm masën disiplinore më të lehtë – vërejtjen me shkrim.

Çfarë nënkupton vendimi?

Ky vendim lë hapësirë për interpretime të dyfishta: nga njëra anë, ai tregon se KRPP e konsideron shkeljen të rëndë, por jo aq sa për të revokuar licencën; ndërsa nga ana tjetër, ai ngre dilema mbi seriozitetin e masave që merren ndaj zyrtarëve të prokurimit që nuk zbatojnë vendimet e OSHP-së.

Në praktikë, një vërejtje me shkrim është masa më e butë disiplinore dhe nuk e pengon zyrtarin e prokurimit të vazhdojë punën në të njëjtin funksion.

Ky rast është një prej shembujve më të freskët të përplasjes mes OSHP-së dhe KRPP-së për interpretimin e përgjegjësive dhe masave ndëshkuese në prokurim publik, derisa tenderët me vlerë miliona euro vazhdojnë të jenë burim i skandaleve dhe ankesave në Kosovë. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera