E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

KQZ sërish me negocim, 489 mijë euro për fletëvotime nga sllovenët

Ndaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet për furnizim me materiale për zgjedhjet lokale të tetorit. Ky institucion po vazhdon me praktikat e vjetra të realizimit të tenderëve me negocim, pa publikim të njoftimit për kontratë, ndonëse prej muajsh dihet data e zgjedhjeve.

Përmes kësaj procedure, KQZ ka rekomanduar dhënien e kontratës për tenderin “Shtypja e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025”. Përfitues është konsorciumi Cetis d.d. dhe CETKOS L.L.C., me lider nga Sllovenia, ndërsa e dyta nga Kosova. Vlera e kontratës është 489,362.40 euro.

Bëhet fjalë për:

  • Listat e votuesve: 4,420 copë
  • Broshurat e kandidatëve për Kuvende Komunale: 16,980 copë

KQZ vazhdimisht e shpërblen këtë konsorcium me kontrata përmes negocimit. Në arsyetimin e tyre për përdorimin e kësaj procedure është shkruar:

“Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procesit të shtypjes së fletëvotimeve, të përcaktuar nga KQZ me Rregulloren Zgjedhore nr. 10/2024 – Fletëvotimet dhe Broshurat, siç parashihet në nenin 8, paragrafi 3, procesi i shtypjes dhe paketimit duhet të realizohet nga një operator ekonomik i certifikuar, në përputhje me standardet për sistemin e menaxhimit të shtypjes me siguri të lartë dhe sistemin e menaxhimit të sigurisë së informacionit. Për të përmbushur këtë kërkesë, është e nevojshme që OE të posedojë standardin ISO 14298, i cili përcakton kërkesat për sistemin e menaxhimit të shtypjes me siguri të lartë. Ky standard siguron mbrojtjen e produktit, procesit, informatave dhe elementeve të sigurisë. Në regjistrin e Shoqatës Evropiane të Industrisë së Printimit – Intergraf, janë të listuara kompanitë që merren me shtypje me siguri të lartë dhe që janë të certifikuara me ISO 14298. Andaj, duke u bazuar në sqarimet e mësipërme, si dhe konkluzionet nga takimi i punës së KQZ-së në Tiranë, më 4–7 prill 2025, propozojmë që të zhvillohet procedura e negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, me qëllim që të sigurohet shtypja e fletëvotimeve në kohë dhe në përputhje me kërkesat ligjore”.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025, në të gjitha komunat e vendit për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe asambleve komunale /Demokracia.com

Lexo më shumë

Të tjera