Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka lidhur kontratë në dhjetor për asgjësimin e materialit zgjedhor të zgjedhjeve lokale, por procedurën e prokurimit e ka bërë publike vetëm tani, shkruan Kujdestari.info.
Pas manipulimeve me listat e kandidatëve për deputetë, pati zëra se do të duhej tw rinumëroheshin edhe listat e kandidatëve për asamble komunale nga zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Megjithatë, KQZ ka bërë të ditur se materiali zgjedhor i zgjedhjeve lokale të vitit 2025 tashmë është shkatërruar.
Sipas KQZ-së, nga procesi i asgjësimit janë përjashtuar materialet e vendvotimeve që janë duke u trajtuar nga Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat.
“Me qëllim të zbatimit të ligjit, KQZ, brenda afatit ligjor, ka shkatërruar materialet zgjedhore të Zgjedhjeve Lokale 2025. Nga ky proces janë përjashtuar materialet e vendvotimeve, të cilat Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat janë duke i trajtuar. Gjithashtu, siç parashihet me ligj, KQZ ka certifikuar rezultatet e Zgjedhjeve Lokale 2025 pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit, si dhe pas vendimeve të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e kandidatëve dhe subjekteve”, ka deklaruar KQZ-ja ditë më parë.
Mirëpo, Kujdestari.info ka gjetur se vetëm tani KQZ-ja ka publikuar procedurën e prokurimit përmes së cilës është realizuar asgjësimi i materialeve zgjedhore.

Konkretisht, dje është bërë njoftimi për dhënien e kontratës për asgjësimin e materialit zgjedhor, ndonëse kontrata ishte nënshkruar që në dhjetor.
Bëhet fjalë për asgjësimin e rreth 45 tonë material zgjedhor.

Sipas të dhënave nga platforma e-prokurimi, për këtë shërbim është angazhuar kompania GETNO L.L.C. nga Prishtina, me vlerë të ofertës prej 3,717 euro.

KQZ është e obliguar ligjërisht që brenda 60 ditëve të shkatërrojë të gjithë materialin zgjedhor, përjashtuar rastet kur ai është objekt hetimi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues i cili, sipas nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, është përgjegjës për përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha veprimeve që lidhen me proceset zgjedhore dhe referendumet në Kosovë, si dhe për shpalljen e rezultateve të tyre. /Kujdestari.info/