E premte, 6 Shkurt, 2026

KQZ publikon shpenzimet e partive politike për fundvitin 2025: mbi 1.8 milionë euro në tre muaj

Ndaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike raportet financiare të shpenzimeve të subjekteve politike parlamentare për tremujorin e fundit të vitit 2025, përkatësisht periudhën tetor–dhjetor. Të dhënat përfshijnë partitë që ishin pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Sipas raporteve zyrtare të KQZ-së, gjatë kësaj periudhe partitë politike kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme financiare, me dallime të theksuara mes tyre, si në totalin e shpenzimeve ashtu edhe në respektimin e kufijve buxhetorë të përcaktuar.

Nga të dhënat rezulton se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë subjekti me shpenzimet më të larta. Kjo parti ka shpenzuar gjithsej 1 milion e 263 mijë e 372 euro, duke tejkaluar buxhetin e lejuar për këtë periudhë me mbi 712 mijë euro, sipas raportimit të publikuar.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës gjatë tremujorit tetor–dhjetor 2025 ka shpenzuar në total 280 mijë e 822 euro, rreth 2 mijë euro më shumë sesa shuma e paraparë në buxhetin e saj për këtë periudhë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka raportuar shpenzime në vlerë prej 224 mijë e 859 euro për të njëjtën periudhë tremujore.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas raporteve financiare të dorëzuara në KQZ, ka shpenzuar 70 mijë e 210 euro gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor 2025.

Raportet e KQZ-së ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi menaxhimin financiar të partive politike dhe mbeten një prej mekanizmave kryesorë për transparencën e financimit të tyre. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera