Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka anuluar vendimin e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), me të cilin ishte revokuar certifikata profesionale e shefit të prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj duke konstatuar se KRPP ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe jashtë procedurave disiplinore të parashikuara për nëpunësit civilë, shkruan Kujdestari.info.
Vendimi, të cilin e posedon Kujdestari.info, ka të bëjë me rastin e zyrtarit Isa Osmankaj, të cilit KRPP ia kishte revokuar certifikatën e avancuar profesionale për prokurim publik, pas një sërë zhvillimesh rreth një tenderi të Komunës së Prizrenit me numër 622-24-11677-2-2-1, i cili më pas ishte anuluar në tërësi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). Kërkesë për revokim të certifikatës kishte bërë vet OSHP. Por, siç ka gjetur Kujdestari.info, KRPP nuk e ka publikuar ketë vendim në ueb-faqen e vet, ashtu siç vepron më rastet e revokimit të licencave. (Dokument)
Çfarë vendosi Këshilli?
Sipas vendimit të datës 29 dhjetor 2025, Kolegji i Këshillit ka aprovuar ankesën e zyrtarit, Osmankaj dhe ka anuluar vendimin e Bordit të KRPP-së të datës 16 shtator 2025, duke e kthyer lëndën për rishqyrtim.
“Aprovohet ankesa… dhe anulohet Vendimi me numër të protokollit 63/2025 i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ndërsa lënda kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje tek Bordi i KRPP-së”, thuhet në dispozitivin e vendimit.
Për çfarë tenderi bëhet fjalë?
Rasti lidhet me aktivitet prokurimi ““Inqizimi Gjeodezik i Infrastrukturës së Rrugëve Fushore, parcelave ku bëhet, mbjellja e pemëve, hapja e puseve, kanaleve kulluese, stallave, serave”, të iniciuar nga Komuna e Prizrenit, i cili ishte objekt i disa ankesave dhe vendimeve të njëpasnjëshme të OSHP-së. Për këtë rast ka raportuar Kujdestari.info.
Në vendim përshkruhet se OSHP kishte nxjerrë tri vendime për këtë procedurë, ndërsa në fund, më 31 korrik 2025, kishte anuluar tërësisht aktivitetin e prokurimit dhe kishte inicuar kërkesë për revokimin e certifikatës së zyrtarit të prokurimit.
“Komuna e Prizrenit ka vepruar jo sipas pikëpamjeve të Vendimit të OSHP-së të datës 13.03.2025 dhe duke mos e pezulluar aktivitetin e prokurimit pas ankesës… ka bërë njoftimin për dhënien e kontratës”, thuhet në arsyetim.
Këshilli: Ka pasur shkelje, por jo procedurë të ligjshme
Kolegji i Këshillit pranon se zyrtari prokurimit ka bërë shkelje të rënda, duke mos respektuar vendimin e OSHP-së për pezullimin e procedurës së prokurimit.
“Ankuesi ka bërë shkelje duke mos respektuar vendimin e OSHP-së… prandaj kjo përbën shkelje të rëndë të detyrave të punës së nëpunësit civil”, thuhet në vendim.
Megjithatë, Këshilli vlerëson se KRPP nuk ka ndjekur procedurën e duhur disiplinore, siç kërkohet për nëpunësit civilë, dhe se revokimi i certifikatës nuk mund të bëhet pa u zhvilluar më parë procedurë disiplinore nga organet kompetente.
“Shqiptimi i masës disiplinore ndaj ankuesit nga Bordi i KRPP-së është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe Ligjin për Zyrtarët Publik”, thuhet më tej.
Sipas Këshillit, në raste të tilla KRPP dhe OSHP mund të inicijnë procedurë disiplinore, por vendimmarrja për masat disiplinore duhet të bëhet nga organet e shërbimit civil, e jo drejtpërdrejt nga KRPP.
Me këtë vendim, rasti kthehet sërish në duart e Bordit të KRPP-së, i cili obligohet të veprojë në përputhje me ligjin për shërbimin civil, ndërsa pala e pakënaqur ka të drejtë ta dërgojë çështjen në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Çka kishte raportuar Kujdestari.info, ne gusht të vitit 2025
KRPP konfirmon shqyrtimin e tërheqjes së certifikatës së shefit të Prokurimit në Prizren
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka konfirmuar për Kujdestari.info se ka pranuar dhe po e shqyrton kërkesën e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për revokimin e certifikatës profesionale të zyrtarit përgjegjës të prokurimit të Komunës së Prizrenit, Isa Osmankaj.
Në përgjigjen e tij, KRPP sqaron:
“RPP ka pranuar kërkesën e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për Revokimin e Certifikatës Profesionale të Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit të AK – KK Prizrenit z. Isa Osmankaj për aktivitetin e prokurimit “Inqizimi Gjeodezik i Infrastrukturës së Rrugëve Fushore, parcelave ku bëhet, mbjellja e pemëve, hapja e puseve, kanaleve kulluese, stallave, serave” ,me nr.Prokurimi- 622-24-11677-221 ”.
KRPP është duke e shqyrtuar kërkesën, dhe brenda afateve kohore të përcaktuara me Rregulloren për Prokurim Publik do nxjerr Vendimin dhe menjëher do ta publikoj në Platformën E-prokurim, në linkun: “Trajnimet” në vegëzën “TRAJNIME” , thuhet në përgjgijen e Departamenti të Rregullave të KRPP-së për Kujdestari.info.
Kërkesa lidhet me aktivitetin e prokurimit “Inxhinizimi gjeodezik i infrastrukturës së rrugëve fushore, parcelave bujqësore, hapja e puseve, kanaleve kulluese, stallave e serrave”, me numër të prokurimit 622-24-11677-221.
Ky zhvillim vjen pas një zinxhiri shkeljesh të konstatuara nga OSHP, ku shefi i Prokurimit të Komunës së Prizrenit ishte përfshirë në shpalljen e fituesit me dokumentacion të pavlefshëm, manipulimin e certifikatave të dronëve dhe moszbatimin e vendimeve të OSHP-së.
Nëse KRPP vendos të tërheqë licencën, Isa Osmankaj nuk do të mund të ushtrojë më funksionin e shefit të prokurimit dhe nuk do të ketë të drejtë të nënshkruajë tenderë.
Komuna e Prizrenit nuk ka dhënë ende një përgjigje për masat e marra ndaj zyrtarit.
Kujdestari.info ka raportuar se, një procedurë prokurimi me vlerë të vogël, vetëm 30 mijë euro e nisur nga Komuna e Prizrenit, ka shpalosur gjithë anarkinë dhe mungesën e përgjegjësisë në menaxhimin e tenderëve publikë. Tenderi për “Inxhinizimin gjeodezik të infrastrukturës rrugore, parcelave bujqësore, hapjen e puseve e kanaleve kulluese, stallave e serrave” ka prodhuar një nga vendimet më të rënda të Panelit Shqyrtues të OSHP-së, duke hapur rast që t’i merret certifikata e prokurimit shefit të prokurimit të Komunës së Prizrenit, Isa Osmankaj.
Kryetarët e Prizrenit kanë ndryshuar ndër vite, por Osmankaj ka mbetur në krye të prokurimit. Këtë herë, pas vendimeve të OSHP-së, po kërkohet përgjegjësi personale ndaj tij për shkeljet e konstatuara.
Paneli i OSHP-së ka nisur procedurë që t’i merret certifikata profesionale e prokurimit, Osmankajt për shkak se nuk ka zbatuar tri raste të Penalit në një tender. Procedura për tërheqje të licencës eshte iniciuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik- KRPP dhe gjithçka mbetet në dorë të këtij institucioni, i cili tashmë ka nisur hetimin për shqyrtimin e tërheqjes së certifikatës.

Shkurtimisht, historia është kjo:
Komuna e Prizrenit shpalli tenderin në nëntor 2024. Në garë mbetën dy operatorë ekonomikë: Gjeo-Projekt SHPK, me çmim 0.46 euro për njësi, dhe grupi i përbërë nga GeoMetri SHPK dhe ITEG SHPK, me një çmim absurdisht të ulët prej vetëm 0.20 euro.
Fitues fillimisht u shpall grupi GeoMetri-ITEG. Kundër këtij vendimi, Gjeo-Projekt parashtroi ankesë, e cila përfundimisht përmes OSHP-së çoi në anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Deri këtu gjithçka do të dukej një proces i zakonshëm me një ankues të pakënaqur, një shqyrtim nga OSHP, dhe një anulim. Por ajo që ndodhi më pas e ktheu këtë rast në shembull të pastër të manipulimit dhe moszbatimit të vendimeve ligjore nga ana e Autoritetit Kontraktues.
Shkelja e parë: Vendimi i anulimit i shndërruar në shpallje fituesi
Paneli i OSHP-së përmes vendimit 2025/0244 kishte konfirmuar anulimin e aktivitetit. Pra, tenderi duhej të mbyllej. Por më 22 maj 2025, vetëm pak ditë pas këtij vendimi, Komuna e Prizrenit publikoi sërish njoftim për fitues, duke rekomanduar po të njëjtin grup operatorësh GeoMetri dhe ITEG me çmimin prej 0.20 euro. Me një fjalë, ajo që OSHP kishte rrëzuar si të pavlefshme, Komuna e ringjalli. Kjo nuk është vetëm shkelje e procedurës, por sfidim i hapur ndaj një organi të drejtësisë administrative.
Shkelja e dytë: Manipulimi me certifikatat e dronit
Një nga kriteret thelbësore të tenderit ishte posedimi i një droni të certifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), me të drejtë përdorimi për menaxherin e projektit. Dokumentet e paraqitura nga GeoMetri-ITEG tregonin se droni ishte i regjistruar në emër të një personi tjetër z. Argjent Nela, dhe jo në emër të menaxherit të projektit, Luan Abazi. Pra, kriteri kryesor nuk ishte përmbushur. Në vend të kësaj, konsorciumi prodhoi një vërtetim të brendshëm, të lëshuar nga vetë kompania ITEG, ku “autorizohej” Abazi të përdorte dronin. Por, siç ka theksuar edhe vetë Aviacioni Civil, një kompani private nuk ka asnjë kompetencë të autorizojë dikë për përdorimin e dronit këtë e bën vetëm AAC sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Pra, kemi të bëjmë me një kamuflim të qëllimshëm të dokumentacionit, për të krijuar përshtypjen e përmbushjes së kriterit.
Shkelja e tretë: Përsëritja e mashtrimit me pajisjen multispektrale
Në dokumentacionin e tenderit kërkohej që droni të posedonte kamera multispektrale për matje bujqësore. Konsorciumi GeoMetri-ITEG paraqiti faturë për blerjen e një pajisjeje të tillë, por fatura ishte e datës 10 maj 2024, ndërkohë që certifikata e Aviacionit Civil për pilotin Nela ishte lëshuar dy vjet më herët, më 29 mars 2022. Me fjalë të tjera, në kohën e certifikimit droni nuk ekzistonte në pronësi të tij, pra nuk mund të ishte pjesë e certifikimit. Eksperti i OSHP-së konstatoi se edhe ky element ishte një formë tjetër e shtrembërimit të kritereve të tenderit, e përsëritur për të dytën herë.
Një cikël i përsëritur tre herë
Ky rast nuk është një lapsus i vetëm. Në fakt, është përsëritur tri herë e njëjta logjikë:
- Fillimisht, shpallja e fituesit me dokumentacion të mangët.
- Pastaj, pas ankesës, konfirmimi i anulimit nga OSHP.
- Më pas, shpallja sërish e fituesit të të njëjtit grup, me të njëjtat dokumente të kontestuara.
Në secilën prej këtyre hallkave, roli i shefit të prokurimit të Komunës së Prizrenit ka qenë thelbësor. Ai ka pasur për detyrë të zbatojë vendimet e OSHP-së dhe të garantojë integritetin e procedurës. Në vend të kësaj, ka toleruar, nëse jo stimuluar, rishfaqjen e të njëjtave dokumente të pavlefshme dhe shpalljen e të njëjtëve fitues.
Çfarë thotë OSHP-ja?
Eksperti i angazhuar nga OSHP e tha qartë se aktiviteti duhej të kishte përfunduar me anulim, dhe çdo publikim tjetër i vendimit për shpallje fituesi pas 21 marsit 2025 ishte i paligjshëm. Paneli Shqyrtues e konfirmoi këtë në raportet 2025/0055 dhe 2025/0244, duke e bërë të qartë se Komuna e Prizrenit nuk ka zbatuar vendimet e mëparshme dhe ka vazhduar të ndjekë një rrugë të kundërligjshme.
A duhet të merret certifikata e prokurimit?
Në këtë rast, pyetja më e madhe nuk është vetëm se kush do ta fitojë tenderin e dronëve me 30 mijë euro, por se a duhet të lejohet që shefi i prokurimit të Komunës së Prizrenit të vazhdojë të ushtrojë këtë funksion?
Ligji për Prokurimin Publik dhe aktet nënligjore parashehin që në rast të përsëritjes së shkeljeve dhe të moszbatimit të vendimeve të OSHP-së, individët përgjegjës mund të penalizohen deri në heqjen e certifikatës së prokurimit.
Në këtë rast, kemi një model të përsëritur tri herë të shkeljeve që nga shpallja e fituesit në kundërshtim me kriteret, te manipulimi i certifikatave dhe moszbatimi i vendimeve të OSHP-së, raporton Kujdestari.info.
“Paneli shqyrtues duke u bazuar në shkresat e kësaj lënde shihet qartë se AK Komuna e Prizrenit ka bërë shkelje serioze të dispozitave ligjore të LPP. Andaj, Panelimori vendim: -Të Inicohet procedura për revokimin e certefikatës së prokurimit kundër zyrtarit përgjegjës të prokurimit të AK Komuna e Prizrenit, konform nenit 25, paragrafi 8, të LPP, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore të lartcekura si dhe nenit 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurimin Publik”, thuhet në vendimin e Panelit të OSHP-së.
Tash, mbetet në dorën e KRPP-së nëse do ta tërheqë ose jo licencën e shefit të prokurimit në komunën e udhëhequr nga PDK-ja.
Kujdestari.info ka kërkuar një përgjigje nga Komuna e Prizrenit lidhur me atë se a ka marrë masa ndaj zyrtarit për këtë shkelje të rëndë, por deri në publikimin e këtij teksti ky institucion nuk e ka kthyer përgjigje.
Megjithëkëtë, me datë 4 gusht, komuna ka anuluar në tersi aktivitetin e prokurimit. /Kujdestari.info/

Vendimi i OSHP



….











Lexo edhe: