Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka aprovuar si të bazuar ankesën e një kandidateje dhe ka anuluar në tërësi procedurën e pranimit për pozitën “Zyrtar i Lartë për Kimikate” në Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), shkruan Kujdestari.info.
Sipas vendimit të datës 5 dhjetor 2025 (A.nr.1634/2025), Këshilli ka konstatuar se procedura e konkursit me numër reference RN00017394 është zhvilluar në kundërshtim me ligjin, për shkak se autorizimet për shpalljen e konkursit dhe themelimin e Komisionit të Pranimit janë dhënë nga ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm jashtë afatit të lejuar ligjor.
“I. Aprovohet si e bazuar ankesa me numër A.nr.1634/2025, e datës 28.08.2025, e parashtruar nga ankuesja A.Z. II. Anulohet në tërësi procedura e pranimit lidhur më pozitën Zyrtar i Lartë për Kimikate në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e shpallur sipas konkursit me numër reference RN00017394. III. Obligohet Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në kuadër të Ministrisë së Mjedisit,
Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, të ndërmerr veprimet e nevojshme administrative për zbatimin e vendimit sikurse përcaktohet në pikën II të dispozitivit”.
Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit, ndërsa pala e pakënaqur ka të drejtë të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, brenda 30 ditësh.
Si nisi procesi?
MMPHI kishte shpallur konkursin më 24 mars 2025 për pozitën “Zyrtar i Lartë për Kimikate”, i hapur për aplikim deri më 23 prill 2025. Në këtë konkurs kishin aplikuar 49 kandidatë, përfshirë ankuesen A.Z., e cila kishte kaluar në listën e ngushtë.
Më 31 korrik 2025 u publikua lista përfundimtare e vlerësimit. Ankuesja ishte renditur e treta me 86.4 pikë, ndërsa kandidat fitues ishte shpallur B.K. me 92.4 pikë.
Më 28 gusht 2025, A.Z. paraqiti ankesë në KPMShCK, duke pretenduar shkelje ligjore dhe parregullsi në procedurë.
Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, Kolegji i Këshillit ka konstatuar se pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në MMPHI ishte e paplotësuar që nga qershori 2021 dhe vazhdonte të ushtrohej me ushtrues detyre.
Duke iu referuar nenit 35 të Ligji Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publik, Këshilli thekson se një zyrtar publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre për më shumë se gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje edhe për gjashtë muaj të tjerë – pra maksimumi një vit. Çdo vendim i marrë pas këtij afati konsiderohet i paligjshëm.
Sipas gjetjeve të Kolegjit, autorizimi për shpalljen e konkursit dhe formimin e Komisionit të Pranimit është bërë nga ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm pas kalimit të afatit maksimal njëvjeçar, çka e bën të gjithë procedurën të cenueshme nga pikëpamja e ligjshmërisë.
Në arsyetim, Këshilli i është referuar edhe Aktgjykimit P.A.nr.07/2025 të Gjykata Supreme e Kosovës, i cili ka sqaruar se çdo akt juridik i nxjerrë nga një ushtrues detyre pas skadimit të afatit ligjor është i pavlefshëm për shkak të mungesës së kompetencës.
Gjykata ka theksuar se ligji i referohet pozitës si funksion institucional dhe jo individit, që do të thotë se ndërrimi i personave në detyrë nuk e rifillon afatin ligjor të ushtrimit të përkohshëm të pozitës.
Si rezultat i këtyre konstatimeve, KPMShCK ka vlerësuar se e gjithë procedura e konkursit është zhvilluar nga organi jo kompetent dhe për pasojë është e paligjshme.
Kjo nënkupton se konkursi për pozitën “Zyrtar i Lartë për Kimikate” duhet të zhvillohet nga e para, nëse ministria synon ta plotësojë pozitën, por këtë herë në përputhje të plotë me kërkesat ligjore për kompetencë dhe autorizim. /Kujdestari.info/