Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka shpallur të paligjshëm transferimin e një nëpunësi civil në Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke anuluar dy vendime të Sekretarit të Përgjithshëm dhe duke urdhëruar kthimin e tij në pozitën e mëparshme, shkruan Kujdestari.info.
Sipas vendimit të datës 19 janar 2026, Këshilli e ka aprovuar si të bazuar ankesën e zyrtarit B.K. nga Prishtina, i cili ishte transferuar përkohësisht nga pozita “Udhëheqës i Divizionit për Administrim të Dokumenteve dhe Arkiv” në pozitën “Udhëheqës i Divizionit për Promovim dhe Përkrahje të Investimeve”.
Transferimi u shpall i kundërligjshëm
Vendimi konstaton se transferimi ishte bërë në kundërshtim me rregulloren për transferimin e nëpunësve civilë, pasi institucioni nuk kishte verifikuar nëse zyrtari i plotësonte kriteret e pozitës së re.
Një nga shkeljet kryesore lidhet me kërkesën obligative për njohjen e gjuhës angleze në nivelin B2-C1, kriter që sipas dosjes personale, ankuesi nuk e plotësonte.
“Ankuesi nuk posedon një kualifikim apo certifikim të tillë, gjegjësisht nuk e ka përmbush kriterin e njohjes së gjuhës angleze, kriter ky i cili sipas përshkrimit të detyrave është i obligueshëm”, thuhet në vendim.
Sipas Këshillit, kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të rregullores, e cila obligon institucionin që para transferimit të vlerësojë nëse nëpunësi i përmbush kriteret e pozitës së re përmes Njësisë së Burimeve Njerëzore.
Përveç anulimit të transferimit të ankuesit, Këshilli ka anuluar edhe vendimin tjetër me të cilin një zyrtare tjetër ishte vendosur përkohësisht në pozitën e tij.
Kjo, sipas vendimit, është bërë për “t’i hapur rrugë ligjore kthimit të ligjshmërisë” dhe për t’i mundësuar ankuesit rikthimin në vendin e tij të punës, sipas aktit të emërimit të vitit 2024.
Këshilli ka obliguar Sekretarin e Përgjithshëm të MPJD-së që brenda 15 ditëve nga pranimi i vendimit të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike dhe ta kthejë ankuesin në pozitën e tij të mëparshme.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, ndërsa pala e pakënaqur ka të drejtë të iniciojë konflikt administrativ në gjykatë, por kjo nuk e ndalon ekzekutimin e tij. /Kujdestari.info/