Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka reaguar ndaj raportimeve në media lidhur me një dokument të përmendur së fundmi, duke sqaruar se bëhet fjalë për një dokument pune me natyrë informuese.
Sqarimi i plotë i KOSTT-it:
KOSTT sqaron opinionin publik se dokumenti i përmendur në media është një dokument pune i hartuar brenda mandatit të KOSTT-it, me qëllim që të mbështesë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në ushtrimin e përgjegjësive të saj ligjore.
Dokumenti është i natyrës informuese dhe paraqet të dhëna e tregues relevantë për periudhën e analizuar, duke përshkruar funksionimin e tregut të shfrytëzimit të kapaciteteve ndërkufitare dhe sjelljet e palëve tregtare, pa nxjerrë konkluzione për manipulim të çmimeve apo të tregut.
Duke pasur parasysh se në disa media ka pasur interpretime të ndryshme të përmbajtjes së këtij materiali, KOSTT e konsideron të rëndësishme të sqarojë natyrën e tij, me qëllim të informimit sa më të saktë dhe të drejtë të opinionit publik.
KOSTT ka vënë në dispozicion të ZRRE-së të gjitha informatat dhe të dhënat relevante për ti shërbyer procesit të vlerësimit dhe hetimit dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet kompetente, duke ruajtur standardet më të larta të transparencës dhe integritetit të tregut, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe sigurisë së furnizimit.