Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) ka thënë se gjendja në sistemin elektroenergjetik është stabilizuar, pas rikthimit të bllokut B2 të termocentralit Kosova B. Megjithatë, pavarësisht se KOSTT-i ka thënë se kjo ia ka mundësuar ndërprerjen e reduktimeve, në disa lagje në kryeqytet gjatë orëve të para të së mërkurës ka pasur ndërprerje të rrymës.
Të martën qytetarët u përballën sërish me reduktime si pasojë që KESCO ka nominuar energji elektrike më pak sesa kërkesa reale e konsumit. Sipas parashikimeve të KOSTT-it, në orët e pikut është rreth 1400 megavat-orë, ndërsa prodhimi vendor rreth 600 megavat-orë, që i bie se mbi 800 megavat-orë ose më shumë se gjysma e energjisë duhet të sigurohet nga importi. E megjithatë, KESCO tha se mundësitë për import janë të kufizuara.
E njëjta ndodhi edhe ditë më parë. Pas alarmit nga KOSTT-i për devijime, në Zyrën e Rregullatorit për Energji bënë të ditur se do të fillojnë hetimet e do të marrin masa ndaj operatorëve.
KOHA ka pyetur në KEK dhe në Ministrinë e Ekonomisë nëse është ende në fuqi marrëveshja me Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë dhe nëse ka shkëmbime të energjisë në kohën kur Kosova ka nevojë, porse gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.
E shkaku i situatës, në KEK, KOSTT dhe KESCO u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë energjinë gjatë kësaj periudhe, me qëllim të, siç thanë, kontribuimit në sigurinë energjetike.