Agjencia e Statistikave e Kosovës, ka publikuar raportin për shpenzimet e energjisë elektrike në muajin qershor të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku shihet një rënie e konsumit të energjisë elektrike, shkruan Kujdestari.Info.
Sipas raportit të ASK-s, gjatë muajit qershor 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 443.2 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 297.96 GWh, ose 13,25% më i vogël krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
“Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 11,39%. Importi i energjisë elektrike në qershor 2025 ishte 299.8 GWh kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 203.05 GWh (këtu është e përfshirë edhe sasia e transmisionit)”.
Ndërsa, sa i përket prodhimit të thëngjillit, sipas ASK-së ka rënie në qershor të vitit 2025 në krahasim me qershorin e vitit 2024.
“Prodhimi i thëngjillit në muajin qershor 2025 ishte rreth 415.49 mijë ton, që paraqet një rënie prej (-33,08%) në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar”, thuhet në raport.