Rreth 1.7 milion euro, Kosova ka importuar nga Serbia, dema dhe mezate për therrje, brenda periudhës janar-korrik të këtij viti, shkruan Kujdestari.info.
Pavarësisht marrëdhënieve politike të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të mallrave që hyjnë në tregun kosovar, duke theksuar rëndësinë ekonomike të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve
Kosova vazhdon të importojë mallra të ndryshme nga shteti fqinj, Serbia, në vlerë miliona euro.
Sikurse vitet e kaluara edhe në periudhën janar-korrik 2025, Kosova importoi mallra të ndryshme me vlerë milionëshe.
Kujdestari.info ka kërkuar nga Dogana vleren e mallrave që janë importuar gjatë kësaj periudhe nga Serbia.
Sipas raportit të Doganës, Kosova, përveç mallrave tjera, edhe dema e mezata për therrje.
Në këtë periudhë të vitit, Kosova ka importuar 1 mijë e 8 dema e mezata mbi 300 kilogram të dedikuar për therrje.
Të gjithë këta dema e mezata sipas doganës janë në vlerë prej 1 milion e 496 mijë e 850 euro.

Po ashtu, nga Serbia janë importuar edhe 365 dema e mezata tjerë prej 160 kilogramëve deri në 300 kilogram për therrje në vlerë totale prej 187 mijë e 680 euro.
Të dhënat për importin në muajin korrik 2025 tregojnë se vlera e mallrave të importuara nga Serbia në Kosovë ka arritur në 17,740,616.01 euro, duke vazhduar kështu trendin e rritjes së tregtisë me të, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten gjithashtu ndër furnizuesit kryesorë.
Sipas të dhënave zyrtare doganore për periudhën janar-korrik 2025, Serbia ka kaluar Shqipërinë në vlerën totale të mallrave të importuara në Kosovë, duke iu afruar shumë Maqedonisë së Veriut, që mbetet partneri kryesor ekonomik i Kosovës në rajon.
Gjatë këtyre shtatë muajve, Kosova ka importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 118,604,150.94 euro, ndërsa nga Shqipëria janë importuar mallra me vlerë prej 96,685,804.41 euro. Maqedonia e Veriut vazhdon të kryesojë listën me një vlerë totale importesh prej 119,329,730.46 euro. /Kujdestari.info/