E premte, 19 Dhjetor, 2025

Kosova pranohet në NDC Partnership – Një hap historik diplomatik dhe mjedisor

Ndaj

Republika e Kosovës ka shënuar një arritje të madhe në arenën ndërkombëtare, duke u pranuar në NDC Partnership, një koalicion global që bashkon mbi 140 shtete dhe 110 institucione ndërkombëtare për zbatimin e objektivave klimatike të përcaktuara në kuadër të Marrëveshjes së Parisit.

Ky zhvillim përfaqëson mekanizmin e parë shumëpalësh të ndërlidhur me Marrëveshjen e Parisit që e njeh Kosovën si shtet, duke e vendosur atë në mesin e vendeve që angazhohen për veprime konkrete ndaj krizës klimatike, përcjell Buletini Ekonomik.

“Pranimi i Kosovës në këtë koalicion është rezultat i një pune të gjatë institucionale, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Qeverisë Gjermane. Ky sukses vjen pas miratimit të Kontributit të Përcaktuar Kombëtar (NDC) nga Qeveria e Kosovës në mars të këtij viti – dokument që përcakton objektivat kombëtare për reduktimin e emetimeve dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, ka njoftuar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Nëpërmjet anëtarësimit në NDC Partnership, thuhet se Kosova do të ketë qasje në mbështetje teknike, financiare dhe politike për zhvillimin e projekteve konkrete në fusha kyçe si energji e qëndrueshme, bujqësi, transport dhe përshtatje klimatike.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit ndërkombëtar dhe një sinjal i qartë se Kosova po pozicionohet si aktor aktiv në përpjekjet globale për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm”, përfundon komunikata.

Lexo më shumë

Të tjera