Intervistë me Jusuf Azemin, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Kosovë
Në Kosovë vazhdon largimi i qytetarëve, ndërsa punëtorët e sektorit privat përballen me paga të ulëta, mungesë sigurie dhe perspektivë të pasigurt.
Rritja e pagës minimale pritet të nisë nga viti 2026, por sindikata kërkon barazi me sektorin publik dhe zbatim të menjëhershëm të saj. Kriza e fuqisë punëtore, aksidentet në vendet e punës dhe mungesa e reagimit institucional rrisin shqetësimin për të ardhmen e punëtorëve.
Në Kosovë po vazhdon trendi shqetësues i largimit të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërkohë që punëtorët e sektorit privat po përballen me paga të ulëta, mungesë sigurie në punë dhe pabarazi me sektorin publik.
Në një intervistë për “Monitor”, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, flet për krizën sociale që po përjetojnë punëtorët, për mungesën e reagimit institucional, për pasojat e vonesës në formimin e institucioneve, si dhe për rrezikun që Kosova të mbetet pa fuqi punëtore në vitet e ardhshme.
Z.Azemi, ju keni përmendur shpesh se shifrat zyrtare të emigrimit nuk përkojnë me realitetin. Sa i madh është, sipas jush, numri i qytetarëve që janë larguar nga vendi?
Realiteti është shumë më i rëndë nga sa paraqitet zyrtarisht. Sipas të dhënave që ne kemi mbledhur nga terreni dhe përmes sindikatave lokale, rreth 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova vetëm gjatë pesë viteve të fundit.
Prej tyre, rreth 200 mijë kanë gjetur punë kryesisht në Gjermani dhe shtetet e tjera të BE-së. Dhe këtu nuk po flasim vetëm për punëtorët e kualifikuar, por për punëtorë të ndërtimtarisë, të prodhimit, të shërbimeve – pra për shtresën punëtore që e mban ekonominë e vendit gjallë.
Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e atyre që kanë ikur janë punëtorë të sektorit privat, që kanë punuar me paga minimale, pa sigurime, pa kontrata stabile dhe pa asnjë garanci për të ardhmen.
Pse mendoni se njerëzit po ikin në këtë masë? A është vetëm çështja ekonomike apo ka diçka më shumë?
Ekonomia është thelbi, por jo e vetmja arsye. Sot, punëtorët në Kosovë nuk kanë siguri, nuk kanë mbrojtje, as dinjitet. Paga mesatare prej rreth 600 eurosh nuk mjafton për të mbajtur një familje.
Çmimet e ushqimeve, qirave dhe energjisë janë rritur, ndërsa pagat kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.
Punëtorët kanë pritur përmirësime, por kanë kuptuar se në realitet nuk ka përparim, nuk ka investim në kushte pune, nuk ka sigurime shëndetësore e as sociale. Në këto rrethana, largimi është bërë zgjidhja e vetme për shumë prej tyre.
Jemi në një periudhë tranzicioni institucional, me vonesa në formimin e qeverisë. Si ndikon kjo te punëtorët?
Shumë negativisht. Edhe kur institucionet kanë qenë funksionale, kemi pasur probleme serioze. Por tani, me këtë vakuum institucional, punëtorët janë lënë plotësisht në harresë.
Kemi kontrata që nuk po vazhdojnë, pagesa që po vonohen, dhe shumë kompani që ofrojnë shërbime për institucionet publike janë në pritje të fondeve.
Kjo ndikon drejtpërdrejt në pagat e punëtorëve. Çdo ditë pa qeveri e pa Parlament aktiv është një ditë dëm për punëtorët e sektorit privat. Nëse kjo situatë vazhdon, do të ketë pakënaqësi dhe reagime masive.
Një nga kërkesat e përsëritura nga sindikata që ju udhëhiqni është barazimi i punëtorëve të sektorit privat me ata të sektorit publik. Pse kjo është kaq e rëndësishme?
Sepse punëtorët e sektorit privat janë të diskriminuar në mënyrë flagrante. Për shembull, në QKUK, punëtorët teknikë dhe të sigurimit që paguhen direkt nga buxheti i Kosovës, marrin 50 euro më shumë se ata që kryejnë të njëjtën punë përmes kompanive private.
Dhe nga qershori pritet t’u rritet edhe 50 euro tjera. Ndërsa punëtorët e kompanive private që ofrojnë të njëjtin shërbim marrin 100 euro më pak.
Kjo është e padrejtë dhe ne kërkojmë që të barazohemi në paga e kushte me punëtorët publikë. Ky nuk është luks, por kërkesë minimale për dinjitet njerëzor.
Në rast se institucionet nuk ndërmarrin hapa konkretë, çfarë planifikoni si sindikatë?
Ne gjithmonë jemi për dialog dhe mirëkuptim, por nëse kërkesat ligjore nuk realizohen, ne do të reagojmë. Do të ketë protesta dhe greva, si në të kaluarën. Kemi pasur shumë raste kur kemi arritur marrëveshje vetëm pasi kemi ushtruar presion publik.
Nuk është dëshira jonë të bllokojmë rrugë apo institucione, por ndonjëherë është mënyra e vetme që zëri i punëtorëve të dëgjohet.
Qeveria ka miratuar rritjen e pagës minimale nga 350 në 500 euro në dy faza. A jeni të kënaqur me këtë vendim?
Ky është një hap pozitiv, por ende i pamjaftueshëm. Rritja nga 350 në 425 euro bruto nga 1 janari 2026 dhe më pas në 500 euro nga 1 korriku 2026 duhet të zbatohet pa vonesa.
Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë së paku 600 euro, sepse vetëm ashtu mund të përballohet kostoja reale e jetesës.
Nëse shteti nuk i ndihmon kompanitë publike e private që ofrojnë shërbime në institucione, punëtorët do të mbesin prapa. Prandaj kërkojmë që të nisë zbatimi që në janar, siç është premtuar.
Një temë tjetër alarmante është numri i aksidenteve fatale në vendet e punës. Çfarë tregon situata aktuale?
Tregon një katastrofë njerëzore që po ndodh në heshtje. Vetëm nga janari deri në tetor 2025, kemi pasur 29 vdekje në vendin e punës, dhe 70% e tyre në sektorin e ndërtimtarisë. Këta janë punëtorë të rinj, mes 23 dhe 45 vjeç, që vdesin duke punuar për bukën e gojës.
Institucionet e dinë këtë, por nuk veprojnë. Inspektorati i Punës shpesh vendos gjoba qesharake – 50 euro, 100 euro, ndonjëherë 2,500 euro. E kam thënë dhe e përsëris: jeta e një punëtori sot po vlen më pak se jeta e një kafshe. Kjo është e papranueshme.
Kush e mban përgjegjësinë për këtë situatë të sigurisë në punë?
Përgjegjësinë e parë e kanë pronarët e kompanive, të cilët shpesh nuk i pajisin punëtorët me mjete mbrojtëse, nuk i trajnojnë dhe nuk e vlerësojnë rrezikun në vendin e punës.
Por përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet. Ligjet ekzistojnë, por nuk zbatohen. Nuk ka kontrolle, nuk ka përgjegjësi, nuk ka ndëshkime serioze.
Ne si sindikatë i kemi paralajmëruar me dhjetëra herë, kemi bërë apele publike, por askush nuk reagon derisa të ndodhë tragjedia. Dhe kjo është më e rënda.
Si e shihni të ardhmen e afërt të punëtorëve në Kosovë, sidomos me këtë nivel të emigrimit dhe krizës sociale?
Nëse vazhdon kështu, rrezikojmë të mbetemi pa punëtorë. Kompanitë po përballen tashmë me mungesë fuqie punëtore. Punëtorët po ikin sepse nuk e shohin veten këtu.
Nëse nuk përmirësohen kushtet, nuk ka kthim mbrapa. Duhet të kuptohet se nuk mund të ndërtohet ekonomi e qëndrueshme duke e shfrytëzuar punëtorin.
Nëse duam zhvillim, duhet të respektojmë punëtorin, ta paguajmë denjësisht dhe t’i garantojmë siguri. Pa këtë, çdo përpjekje për progres është e kotë.
Në fund, cili do të ishte mesazhi juaj?
Nëse Kosova dëshiron të ketë të ardhme, duhet të respektojë punëtorin. Pa punëtor, nuk ka ekonomi, nuk ka zhvillim, nuk ka shtet funksional.
Ne kërkojmë vetëm kushtet minimale për jetë dhe punë, asgjë më shumë.
Sot, në vend të përparimit, po përballemi me emigrim masiv, paga të ulëta dhe humbje të jetëve në punë. Kjo duhet të ndalojë.
Nëse institucionet vazhdojnë me këtë heshtje, punëtorët do të reagojnë, dhe kësaj radhe nuk do të tërhiqemi lehtë. /Monitor.al