Kosova ka shpenzuar dukshëm më shumë për importimin e naftës gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, ndonëse sasia e importuar ishte pothuajse e njëjtë me atë të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Rritja e vlerës së importit ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e të hyrave që shteti ka mbledhur nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, shkruan Kujdestari.info.
Sipas të dhënave doganore, nga janari deri në korrik të vitit 2025, Kosova importoi naftë në vlerë prej rreth 262.3 milionë eurosh. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, kjo vlerë u rrit në 373.6 milionë euro.
Në vetëm një vit, fatura e importit u rrit për rreth 111.2 milionë euro, apo 42.4 për qind.
Megjithatë, kjo rritje nuk erdhi nga importimi i një sasie dukshëm më të madhe. Gjatë janar-korrikut 2025 u importuan rreth 393.2 milionë litra, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2026 rreth 392.1 milionë litra. Pra, sasia ishte rreth 0.3 për qind më e ulët.
Kjo tregon se rritja e faturës lidhet kryesisht me vlerën më të lartë të deklaruar të naftës së importuar. Mesatarisht, një litwr naftë e importuar kishte vlerë doganore prej rreth 0.67 eurosh gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025, ndërsa në vitin 2026 kjo vlerë u rrit në rreth 0.95 euro.
Rritja është rreth 42.8 për qind. Kjo nuk duhet të kuptohet domosdoshmërisht si rritje e njëjtë e çmimit në pikat e shitjes, pasi çmimi me pakicë përfshin akcizën, TVSH-në, transportin, marzhën e kompanive dhe shpenzime të tjera. Megjithatë, të dhënat tregojnë qartë se nafta ka hyrë në Kosovë me vlerë dukshëm më të lartë.
Shteti arkëtoi 18.6 milionë euro më shumë
Në periudhën janar–korrik 2025, shteti mblodhi nga importi i kësaj kategorie të naftës rreth 76.8 milionë euro TVSH dhe 168 milionë euro akcizë. Së bashku, këto dy taksa arritën në rreth 244.8 milionë euro.
Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, të hyrat nga TVSH-ja u rritën në rreth 96.4 milionë euro, ndërsa nga akciza u arkëtuan rreth 167 milionë euro. Në total, shteti mblodhi rreth 263.4 milionë euro.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të hyrat nga TVSH-ja dhe akciza u rritën për rreth 18.6 milionë euro, apo 7.6 për qind.
Pothuajse e gjithë rritja erdhi nga TVSH-ja. Të hyrat nga kjo taksë u shtuan për rreth 19.6 milionë euro, ose 25.5 për qind, ndërsa akciza ishte rreth një milion euro më e ulët.
Ky dallim shpjegohet me mënyrën e llogaritjes së taksave. Akciza lidhet kryesisht me sasinë e importuar, e cila gjatë dy periudhave ishte pothuajse e njëjtë. TVSH-ja, ndërkaq, llogaritet mbi një bazë që ndikohet edhe nga vlera e mallit dhe taksat e tjera. Kur rritet çmimi i naftës së importuar, rritet edhe shuma e TVSH-së që arkëton shteti.
Muaji me importin më të lartë gjatë vitit 2026 ishte korriku, kur Kosova importoi naftë në vlerë prej rreth 76.4 milionë eurosh. Vetëm gjatë këtij muaji, shteti arkëtoi rreth 19.2 milionë euro TVSH dhe 30.7 milionë euro akcizë.
Për krahasim, në korrik të vitit 2025 importi kishte vlerë prej 46.7 milionë eurosh, ndërsa TVSH-ja e mbledhur ishte rreth 13.6 milionë euro. Kështu, brenda një viti, vlera e importit të korrikut u rrit për afro 29.7 milionë euro, ndërsa të hyrat nga TVSH-ja për rreth 5.6 milionë euro.
Gjatë gjithë vitit 2025, Kosova importoi naftë të kësaj kategorie në vlerë prej rreth 474.1 milionë eurosh. Nga ky import, shteti arkëtoi rreth 139.4 milionë euro TVSH dhe 307.6 milionë euro akcizë, ose rreth 447 milionë euro nga këto dy taksa së bashku.
Të dhënat për vitin 2026 tregojnë se vetëm për shtatë muaj, vlera e importit ka arritur në afro 79 për qind të faturës së gjithë vitit 2025. Nëse ritmi vazhdon, fatura vjetore e importit të naftës mund të jetë dukshëm më e lartë se ajo e vitit paraprak.
Pra, shtrenjtimi i naftës paraqet kosto shtesë për qytetarët dhe bizneset, por në të njëjtën kohë e rrit shumën e TVSH-së që derdhet në buxhetin e shtetit. Në këtë rast, shteti ka përfituar më shumë të hyra jo sepse është importuar më shumë naftë, por sepse pothuajse e njëjta sasi është importuar me vlerë shumë më të lartë. /Kujdestari.info/