Kosova ka regjistruar rënie të numrit të vizitorëve në hotele në fillim të vitit 2026, shkruan Kujdestari.info.
Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se gjatë muajit janar janë regjistruar 66,980 vizitorë, që është 3.2 për qind më pak krahasuar me janarin e vitit 2025, kur në hotelet e vendit kishin qëndruar 69,227 vizitorë.
Sipas raportit, nga numri i përgjithshëm i vizitorëve në janar 2026, 27,377 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 39,603 ishin vizitorë të huaj.
Në total, në hotelet e Kosovës janë regjistruar 126,838 net-qëndrime. Prej tyre, 71,197 net-qëndrime ose 56.1 për qind janë realizuar nga vizitorët e huaj, ndërsa 55,641 net-qëndrime ose 43.8 për qind nga vizitorët vendorë.
Rajoni i Pejës kryeson për vizitorët vendorë
Sipas ASK-së, Rajoni i Pejës ka regjistruar numrin më të madh të vizitorëve vendorë në hotele. Në këtë rajon janë regjistruar 10,868 vizitorë vendorë, të cilët kanë realizuar 32,372 net-qëndrime.
Rënie edhe te turistët e huaj
Raporti tregon se edhe numri i vizitorëve të huaj ka pësuar rënie. Krahasuar me janarin e vitit 2025, numri i tyre është ulur për 4.4 për qind.
Në janar 2026, në hotelet e Kosovës kanë qëndruar 39,603 vizitorë të huaj, ndërsa numri më i madh i tyre kanë ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.
Sipas të dhënave të ASK-së, vizitorët e huaj vazhdojnë të dominojnë në numrin e net-qëndrimeve në hotelet e Kosovës, duke realizuar më shumë se gjysmën e qëndrimeve gjatë këtij muaji. /Kujdestari.info/