E shtunë, 14 Mars, 2026

Kosova, në fund të Evropës për të ardhurat për frymë- FMN konfirmon hendekun ekonomik me rajonin

Ndaj

Kosova vazhdon të mbetet shteti më i varfër në Evropë, kur matet niveli i të ardhurave për frymë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në kuadër të raportit World Economic Outlook 2025. Statistikat zyrtare tregojnë një të dhëna shqetësues për standardin e jetesës në vend, duke e renditur Kosovën jo vetëm në fund të rajonit, por edhe ndër vendet më të dobëta në rang global, shkruan Kujdestari.info.

Sipas FMN-së, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në Kosovë për vitin 2025 vlerësohet rreth 8,033 dollarë amerikanë, çka e pozicionon vendin si ekonominë më të dobët në Evropë për këtë tregues. Ky nivel mbetet dukshëm nën mesataren e rajonit dhe shumë larg standardeve evropiane.

Edhe në treguesin më gjithëpërfshirës, atë të PBB-së për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP), Kosova renditet rreth vendit të 98-të në botë, duke reflektuar jo vetëm të ardhura të ulëta nominale, por edhe mundësi të kufizuara reale për konsum, për shkak të raportit mes çmimeve dhe të ardhurave. (DOKUMENT)

Ky tregues tregon se, edhe kur korrigjohen dallimet e çmimeve mes vendeve, një qytetar i Kosovës vazhdon të ketë më pak fuqi blerëse se qytetarët e pothuajse të gjitha vendeve evropiane, raporton Kujdestari.info.

Rajoni i Ballkanit: Hendeku po thellohet

Krahasuar me vendet e rajonit, pozicioni i Kosovës bëhet edhe më i pafavorshëm. Serbia kryeson Ballkanin, me rreth 15.3 mijë dollarë për frymë, duke lënë pas Malin e Zi (14.9 mijë dollarë) dhe Shqipërinë (rreth 11 mijë dollarë).

Maqedonia e Veriut, me mbi 10.3 mijë dollarë për frymë, si dhe Bosnjë-Hercegovina me rreth 9.5 mijë dollarë, e kanë tejkaluar Kosovën në këtë tregues. Kjo tregon se, ndonëse të gjitha këto ekonomi përballen me sfida strukturore, Kosova ka mbetur prapa edhe në raport me fqinjët e saj më të afërt.

Në treguesin e fuqisë blerëse (PPP), Kosova renditet sërish pas shumicës së vendeve të rajonit, duke konfirmuar se problemi nuk lidhet vetëm me nivelin e prodhimit, por edhe me koston e jetesës dhe strukturën e tregut të brendshëm.

Evropa dhe bota: Diferencë e thellë me standardin evropian

FMN vlerëson se mesatarja evropiane e të ardhurave për frymë tejkalon 46 mijë dollarë, ndërsa mesatarja globale arrin rreth 14.6 mijë dollarë për frymë. Me vetëm 8 mijë dollarë, Kosova mbetet shumë poshtë të dyja këtyre niveleve, duke reflektuar një hendek të thellë zhvillimi ekonomik dhe social.

Ekspertët e FMN-së theksojnë se treguesi i PBB-së për frymë sipas PPP është ndër më të rëndësishmit për matjen e standardit real të jetesës, pasi tregon se sa mallra dhe shërbime mund të blejë realisht një qytetar në vendin e vet. Në këtë aspekt, Kosova mbetet një nga ekonomitë më të pafuqishme në kontinent.

Një sinjal alarmi për politikat ekonomike

Të dhënat e FMN-së për vitin 2025 përbëjnë një sinjal të qartë alarmi për institucionet e Kosovës, duke treguar se pa reforma strukturore, rritje të produktivitetit dhe investime të qëndrueshme, vendi rrezikon të mbetet edhe më tej në periferi të zhvillimit evropian.

Në një rajon ku disa shtete po arrijnë gradualisht të përmirësojnë pozicionin e tyre ekonomik, Kosova vazhdon të mbetet përjashtimi negativ, me pasoja të drejtpërdrejta për mirëqenien e qytetarëve dhe perspektivën afatgjatë të vendit. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera