Shoqata e Gurthyesve dhe Betonierave, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sektori minerar në vend. Sipas saj, për shkak të mosfunksionimit të institucioneve, ligjeve të pakoordinuara dhe vonesave të pajustifikuara, mbi 100 kompani të licencuara ndodhen të bllokuara duke rrezikuar falimentimin e tyre, humbjen e investimeve milionëshe dhe qindra vendeve të punës.
Shoqata thekson se kompanitë që kanë investuar miliona euro dhe punësojnë qindra punëtorë janë futur në një krizë të thellë për shkak të: mosfunksionimit të bordeve dhe departamenteve përkatëse; ligjeve të pakoordinuara ndërmjet institucioneve; bllokimit të mbi 100 kompanive të licencuara nga ligji i ri (2023); qindra lëndëve të mbetura pa trajtim në Bordin e Minierave; vonesave të pajustifikuara nga institucionet dhe shtrenjtimit të energjisë elektrike që po stagnon prodhimin.
Më shqetësuese, sipas Shoqatës, është fakti se një sasi e madhe zhavorri po importohet nga Serbia, ndërkohë që prodhuesit vendorë mbahen të bllokuara nga barriera ligjore e institucionale. Ky realitet, siç thuhet në reagim, dëmton rëndë industrinë vendore, rrezikon vendet e punës, të hyrat e shtetit dhe stabilitetin e sektorit ndërtimor.
“Thirrja jonë është e qartë: formoni institucionet pa vonesa; harmonizoni ligjet dhe ndalni bllokadat dhe jepni mbështetje sektorit vendor për të shpëtuar vendet e punës dhe ekonominë e vendit!”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gurthyesve dhe Betonierave.
Shoqata paralajmëron se nëse nuk veprohet me urgjencë, pasojat do të jenë të pariparueshme për industrinë minerare dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.