Kosova vazhdon të mbetet tërësisht e varur nga importi për furnizimin me derivate të naftës. Të dhënat zyrtare të publikuara në raportin e Doganës së Kosovës për tregtinë e jashtme tregojnë se vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 janë importuar sasi të mëdha të naftës dhe benzinës për automjete, me vlerë dhjetëra milionë euro, shkruan Kujdestari.info.
Sipas të dhënave të raportit për periudhën janar-shkurt 2026, të cilin e ka parë Kujdestari.info, Kosova ka importuar gjithsej 135,324,949 njësi të derivateve të naftës dhe benzinës për vetura, me një vlerë totale prej rreth 71.6 milionë euro.
Të dhënat e Doganës tregojnë se furnizimi i tregut kosovar me derivate vjen nga një numër relativisht i kufizuar shtetesh, ku disa prej tyre dominojnë qartë importin.
Ndër shtetet prej nga Kosova ka importuar më së shumti derivate gjatë kësaj periudhe janë:
India, me rreth 35.9 milionë njësi të importuara, në vlerë prej 18.6 milionë euro.
Arabia Saudite, me mbi 34.1 milionë njësi, me vlerë rreth 17.9 milionë euro.
Greqia, me rreth 34.1 milionë njësi, në vlerë prej 17.3 milionë euro.
Këto tri vende përbëjnë pjesën më të madhe të furnizimit me derivate të tregut kosovar gjatë dy muajve të parë të vitit.
Në listën e vendeve nga të cilat Kosova importon derivate renditen edhe disa shtete të tjera, por me vëllime dukshëm më të vogla. Sipas raportit të Doganës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë importuar mbi 18 milionë njësi, me vlerë rreth 8.8 milionë euro, ndërsa nga Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 8.4 milionë njësi, në vlerë mbi 4.5 milionë euro.
Sasi më të vogla të derivateve janë importuar edhe nga Gjermania, Maqedonia e Veriut, Rumania, Kroacia dhe Turqia, të cilat së bashku përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të furnizimit të përgjithshëm.
Të dhënat e Doganës tregojnë se tregu kosovar vazhdon të mbështetet pothuajse plotësisht në import për furnizimin me naftë dhe benzinë, pasi vendi nuk ka prodhim vendor të derivateve të naftës. Për rrjedhojë, çdo ndryshim në çmimet ndërkombëtare të naftës apo në zinxhirët globalë të furnizimit reflektohet drejtpërdrejt edhe në tregun e Kosovës. /Kujdestari.info/