Ekonomia

Kosova drejt mbi 1 miliard eurove shitje jashtë vendit, vetëm në gusht eksportoi mbi 100 milionë euro

Nga Kujdestari Media

Kosova mund ta përmbyllë vitin 2026 duke kaluar shifrën prej një miliard eurosh në eksporte, nëse ritmi i deritanishëm i shitjes së mallrave jashtë vendit vazhdon edhe gjatë katër muajve të mbetur të vitit, shkruan Kujdestari.info.

Të dhënat për periudhën janar-gusht 2026 tregojnë se kompanitë nga Kosova kanë eksportuar mallra në vlerë të përgjithshme prej 726.45 milionë eurosh.

Vetëm gjatë muajit gusht, vlera e mallrave të eksportuara arriti në 100.51 milionë euro. Ky është muaji i tretë radhazi në të cilin eksportet e Kosovës kanë kaluar pragun prej 100 milionë eurosh.

Rekordi i deritanishëm për këtë vit është shënuar në korrik, kur jashtë vendit u shitën mallra në vlerë prej 104.78 milionë eurosh. Në qershor eksportet ishin 101.97 milionë euro, ndërsa në gusht 100.51 milionë euro.

Nëse gjatë katër muajve të fundit të vitit Kosova do të ruante mesataren e tetë muajve të parë, vlera e eksporteve për gjithë vitin do të shkonte në rreth 1.09 miliard euro. Për të arritur pragun prej një miliard eurosh deri në fund të dhjetorit, Kosovës i duhen edhe rreth 273.55 milionë euro eksporte, apo mesatarisht rreth 68.4 milionë euro në muaj. (DOKUMENT)

Ku po shiten më së shumti mallrat e Kosovës?

Sipas të dhënave për tetë muajt e parë, dy tregjet kryesore janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Në Maqedoninë e Veriut janë eksportuar mallra në vlerë prej rreth 119.30 milionë eurosh, ndërsa në Shqipëri rreth 118.74 milionë euro.

Pas tyre renditen Zvicra me 72.15 milionë euro, Gjermania me 71.94 milionë euro, Serbia me 48.17 milionë euro dhe Mali i Zi me 39.91 milionë euro.

Edhe të dhënat mujore të ASK-së tregojnë peshën e madhe të tregjeve rajonale. Në korrik, për shembull, 48 për qind e eksporteve të Kosovës shkuan në vendet e CEFTA-s, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin dy destinacionet kryesore.

Çfarë po eksporton Kosova?

Në nivel të produkteve individuale, energjia elektrike prin gjatë tetë. Pas saj vijnë pijet freskuese me rreth 37.72 milionë euro dhe dyert, dritaret, skeletet dhe pragjet e tyre me rreth 28.85 milionë euro etj.

Në mesin e produkteve me vlerë të lartë eksporti janë gjithashtu mbetjet dhe kthimet ferrike, mobiliet prej druri, ferronikeli, xeheroret dhe koncentratet e plumbit, si dhe konstruksionet metalike.

Në një pamje më të gjerë sipas kategorive, metalet dhe artikujt prej tyre vazhdojnë të kenë peshë të madhe në eksportet kosovare. Në korrik ato përbënin 27.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, të pasuara nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, plastika dhe goma, si dhe produktet minerale. /Kujdestari.info/