Republika e Kosovës është bërë zyrtarisht donatore e Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) të Bankës Botërore, me një kontribut të paguar prej 1.4 milionë dollarësh.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se IDA është fondi i Bankës Botërore për 78 vende me të ardhura të ulëta. Projektet e financuara nga IDA nxisin rritjen ekonomike, forcojnë qëndrueshmwrinw dhe përmirësojnë jetën e njerëzve në vendet që mbështesin. Zotimi i Kosovës vjen në një kohë kur krizat e shumta po ndikojnë në mënyrë disproporcionale te vendet me të ardhura të ulëta.
Tutje thuhet se Kosova është gjithashtu një nga 78 vendet huamarrës nga IDA, por që nga shpallja e pavarësisë vendi ka shënuar një progres të qëndrueshëm ekonomik, me një rritje prej gati 50% të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35% të normës së varfërisë. Projektet më të fundit të IDA-s në Kosovë do të mbështesin investime që lehtësojnë tregtinë dhe transportin më efikas, si dhe që forcojnë stabilitetin dhe përfshirjen financiare.
“Duke qenë përfitues të mbështetjes së IDA-s në rrugëtimin tonë të vazhdueshëm të zhvillimit, ne e kuptojmë nga përvoja ndikimin transformues që mund të kenë këto fonde,” tha Hekuran Murati, ministër i Financave i Kosovës. “Jemi krenarë që kontribuojmë për të mbështetur edhe vendet e tjera në rrugën e tyre drejt prosperitetit.”
“Kosova i bashkohet një komuniteti global donatorësh që i mundëson IDA-s të ofrojë financim për zhvillim me kushte koncesionare në 78 vende me të ardhura të ulëta dhe të cenueshme,” tha Akihiko Nishio, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, i cili mbikëqyr IDA-n. “E përgëzoj Kosovën për këtë vendim për të treguar solidaritet me vendet që mbështeten nga IDA.”
Fondet e IDA-s rifreskohen çdo tre vjet dhe raundi i 21-të i negociatave për IDA-n përfundoi në dhjetor 2024. IDA mbështet një sërë aktivitetesh zhvillimore, përfshirë sigurinë e ujit, ekonominë dhe qeverisjen digjitale, reformën e sistemeve të ndihmës sociale, edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme, shëndetësinë, efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër. Këto ndërhyrje trasojnë rrugën drejt barazisë, rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të punës, të ardhurave më të larta dhe kushteve më të mira të jetesës