E diel, 1 Shkurt, 2026

Konkursi OSHP-së rrëzohet në KPMSHCK: Kandidatët fitues pa përvojën e kërkuar, komisioni i formuar në kundërshtim me ligjin

Ndaj

Procedurat e rekrutimit në institucionet publike po vazhdojnë të bien nën lupën e organeve mbikëqyrëse. Këshilli Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka rrëzuar konkursin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për pozitën “Ekspert Shqyrtues”, duke konstatuar shkelje serioze ligjore nga përzgjedhja e kandidatëve pa përvojën e kërkuar, deri te formimi i paligjshëm i komisionit të pranimit, shkruan Kujdestari.info.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka aprovuar si të bazuar ankesën e parashtruar nga kandidati V.G., duke anuluar rezultatet përfundimtare të konkursit të shpallur nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për pozitën “Ekspert Shqyrtues”.

Sipas vendimit të datës 4 dhjetor 2025, Këshilli ka anuluar njoftimin për rezultatet përfundimtare të konkursit me numër reference RN00018337, si dhe listën e verifikimit paraprak, duke e kthyer të gjithë procedurën në fazën fillestare të verifikimit.

Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Kolegji i Këshillit ka konstatuar se dy kandidatët e shpallur fitues nuk i kanë plotësuar kriteret e konkursit sa i përket përvojës profesionale të kërkuar. Konkretisht, sipas konkursit, kandidatët duhej të kishin së paku dy vjet përvojë pune profesionale në fushën e prokurimit publik, kriter që, sipas Këshillit, nuk është përmbushur.

Për njërën nga kandidatët, Këshilli ka vlerësuar se përvoja e dëshmuar ka qenë kryesisht administrative dhe teknike, pa përputhje me përshkrimin e detyrave të pozitës “Ekspert Shqyrtues”. Ndërsa për kandidatin tjetër fitues, është konstatuar se përvoja e punës ose ka qenë para diplomimit, ose në fusha që nuk lidhen me prokurimin publik, siç kërkohej në konkurs.

Përveç mungesës së përvojës profesionale të kandidatëve fitues, Këshilli ka gjetur shkelje edhe në përbërjen e komisionit të pranimit. Sipas vendimit, komisioni nuk është formuar në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Rregulloren për Pranimin në Shërbimin Civil, pasi nuk ka pasur përfaqësim të rregullt nga Njësia e Burimeve Njerëzore, ndërsa dy anëtarë të komisionit kanë pasur pozita ekuivalente me pozitën që ishte në proces rekrutimi.

Këshilli ka vlerësuar se këto shkelje e bëjnë të pavlefshme jo vetëm verifikimin paraprak, por edhe fazat pasuese të vlerësimit, përfshirë testin me shkrim dhe intervistën me gojë.

Si rrjedhojë, Kryesuesi i Sekretariatit të OSHP-së është obliguar që të ndërmarrë veprime për themelimin e një komisioni të ri të pranimit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, dhe procedura e rekrutimit të rifillojë nga faza e verifikimit paraprak.

Vendimi i Këshillit hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë të iniciojnë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon zbatimin e këtij vendimi. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera