Kur një zyrtar publik merr vendime që prekin paranë publike, ligji kërkon që ai të jetë i paanshëm dhe pa interesa private. Çdo lidhje e mëparshme apo aktuale biznesore me kompani që përfitojnë kontrata publike konsiderohet konflikt interesi dhe ndalohet shprehimisht. Pikërisht një rast i tillë është trajtuar në vitin e kaluar ga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në Komunën e Kaçanikut, ku është konstatuar shkelje ligjore në një procedurë prokurimi, shkruan Kujdestari.info.
Sipas dokumentit zyrtar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka filluar trajtimin e rastit pas informatës së pranuar nga jashtë (raportues i rastit), ku ngrihej dyshimi për konflikt interesi të zyrtarit të lartë të prokurimit në Komunën e Kaçanikut, z. Izahir Kuka .
“Ekziston situata e konfliktit të interesit në rastin me Nr. Protokoli: HQPCRB-0046/25, për
zyrtarin e lartë z. Izahir Kuka u.d. Menaxherit të Prokurimit, pasi që i njëjti në cilësinë e
menaxherit të prokurimit ka nënshkruar kontratën publike me titull: “Rregullimi i
hapësirave rekreative Shtegu i Lirisë, Faza e I-rë” me Operatorin Ekonomik “NIKA PROING” SH.P.K. me seli në Ferizaj, me të cilën kompani i njëjti ka marrëdhënie afariste. Me
veprimet e tilla zyrtari Izahir Kuka, ka rënë ndesh me neni 9, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8,
lidhur nenin 17, nenin 6, dhe nenin 3, paragrafin 1, nënparagrafin 1.2, 1.6 dhe 1.12, të
Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thuhet në raport.

Raporti sqaron se dyshimet kishin të bënin me faktin se i njëjti, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së menaxherit të prokurimit, kishte nënshkruar kontratë publike me një kompani me të cilën kishte pasur marrëdhënie profesionale dhe afariste më herët.
Dokumenti specifikon se më datë 20.08.2024 është nënshkruar kontrata publike me titull “Rregullimi i hapësirave rekreative Shtegu i Lirisë, Faza I-rë”, me Operatorin Ekonomik “NIKA PRO-ING” Sh.P.K., Ferizaj, me vlerë të përgjithshme 73,643.96 euro.
Në raport theksohet se drejtori i kësaj kompanie kishte lëshuar referencë për zyrtarin Izahir Kuka më herët, duke konfirmuar se ai kishte punuar në këtë kompani dhe kishte qenë i angazhuar në projekte të ndryshme ndërtimi dhe renovimi, si dhe se kishte vazhduar marrëdhënien profesionale.
Agjencia, pas administrimit të dokumenteve dhe takimit me zyrtarin e përfshirë, ka konstatuar se:ekziston marrëdhënie e mëparshme afariste mes zyrtarit dhe kompanisë përfituese; zyrtari ka marrë pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje duke nënshkruar kontratën publike; këto veprime bien ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Raporti citon drejtpërdrejt nenet ligjore që ndalojnë zyrtarët publikë të ndërmarrin veprime që përshtatin interesin personal ose të personave me të cilët kanë pasur lidhje afariste në pesë vitet e fundit.
Në përfundim të analizës, Agjencia konstaton se “ekziston gjendja e konfliktit të interesit” për zyrtarin e lartë Izahir Kuka, pasi ai, në cilësinë e u.d. të menaxherit të prokurimit, ka nënshkruar kontratë publike me kompani me të cilën ka pasur marrëdhënie afariste, duke shkelur dispozitat përkatëse ligjore.
Bazuar në këto gjetje, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kërkon:
Anulimin e kontratës publike së nënshkruar në kushtet e konfliktit të interesit;
Fillimin e procedurës disiplinore ndaj zyrtarit për shkelje të ligjit;
Procedim të mëtejmë në organet kompetente, nëse konstatohet dyshim për vepër penale
Raporti sqaron se vendimi i APK-së është përfundimtar në procedurë administrative, publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë dhe Komuna e Kaçanikut obligohet të njoftojë për veprimet e ndërmarra në zbatim të tij. /Kujdestari.info/