Ndërtimi

Komuna tenderon projektin 10-milionësh në Veternik, pa dëshmuar nëse ka marrë lejen nga MMPHI

Nga Kujdestari Media

Komuna e Prishtinës ka hapur procedurën e prokurimit për një projekt të madh infrastrukturor në Veternik, ndonëse deri më tani nuk është bërë publike nëse paraprakisht ka marrë pëlqimin apo autorizimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për ndërhyrjet që projekti parasheh në infrastrukturën rrugore nën autoritetin e kësaj ministrie, shkruan Kujdestari.info.

Tenderi me titull “Ndërtimi i urës (Mbikalimi dhe Nënkalimi për vetura dhe automjete) në Veternik mbi rrugën ‘A’ -Bashkëfinancim me MMPHI-në” është publikuar më 11 gusht 2026 dhe ka vlerë të parashikuar prej 10 milionë eurosh.

Sipas dokumentacionit të tenderit, projekti nuk kufizohet vetëm në ndërtimin e një ure. Ai parasheh një nyje infrastrukturore me mbikalim, nënkalim, rrethrrotullim dhe rampa lidhëse, duke përfshirë kështu ndërhyrje në rrjetin ekzistues rrugor.

Pikërisht këtu ngrihet dyshimi se mbi çfarë dokumentacioni dhe pëlqimi institucional është hapur procedura e prokurimit, nëse një pjesë e ndërhyrjeve prek infrastrukturën që është nën autoritetin e MMPHI-së. Konkrtisht ndërhyrje në rrugën nacionale.

Kujdestari.info i është drejtuar Komunës së Prishtinës duke kërkuar të dijë nëse ekziston një marrëveshje e nënshkruar me MMPHI-në për bashkëfinancimin e projektit, kur është nënshkruar ajo dhe sa është pjesëmarrja financiare e secilës palë.

Po ashtu, Komunës i është kërkuar të tregojë nëse posedon pëlqim, autorizim apo dokument tjetër zyrtar të MMPHI-së për realizimin e ndërhyrjeve të parashikuara.

Një nga çështjet kryesore të ngritura ishte nëse Komuna është dashur që para hapjes së procedurës së prokurimit të marrë pëlqimin e MMPHI-së dhe të formalizojë bashkëpunimin me ministrinë, si dhe nëse MMPHI-ja ka qenë e përfshirë dhe e ka aprovuar zgjidhjen teknike të urës, nënkalimit dhe rampave të parashikuara.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Kujdestari.info. Përgjigje nuk ka kthyer as MMPHI-ja.

Pra, mbetet e paqartë nëse një pëlqim apo autorizim i tillë është marrë para tenderimit dhe mbi çfarë baze institucionale është proceduar me projektin 10-milionësh.

Dokumentacioni i tenderit e paraqet projektin si bashkëfinancim me MMPHI-në dhe përmban edhe ndarje të planifikuara buxhetore ndërmjet dy institucioneve deri në vitin 2029. Kjo e bën edhe më të rëndësishme sqarimin nëse, përtej planifikimit financiar të paraqitur në dosje, ekziston marrëveshja formale, pëlqimi për ndërhyrjen në rrugë dhe aprovimi i zgjidhjes teknike.

Në mungesë të përgjigjeve nga Komuna dhe MMPHI-ja, këto pyetje vazhdojnë të mbeten të hapura.

Lexo edhe:

Ura 10-milionëshe në Veternik: Afati u shkurtua, dokumentet shtojnë dyshimet për mënyrën e zhvillimit të tenderit