Kanë kaluar rreth tri javë që nga mbyllja e urës në rrugën Drenas–Shtrubullovë–Krajkovë, e cila u dëmtua si pasojë e vërshimeve, por ura vazhdon të jetë e mbyllur, pa ndonjë ndërhyrje konkrete nga Komuna e Drenasit, shkruan Kujdestari.info.
Kjo rrugë shërben si lidhje e rëndësishme për disa fshatra të komunës së Drenasit, ndërsa banorët tash e disa javë po përballen me vështirësi serioze në qarkullim, duke u detyruar të përdorin rrugë alternative më të gjata dhe më të vështira.
Megjithëse në njoftimin fillestar Komuna e Drenasit kishte paralajmëruar se do të ndërmerrte veprimet e nevojshme për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e qarkullimit normal, deri më tani nuk ka pasur asnjë njoftim të ri dhe as shenja të punimeve në terren.
Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë Lokale në Komunën e Drenasit, Endrit Gllareva, ka deklaruar për Kujdestari.info se aktualisht nuk mund të japë një afat të caktuar se kur mund të ndërhyjë komuna në këtë rrugë, për shkak të problemeve buxhetore dhe bllokadës institucionale në nivel qendror.
“Pa e miratuar Qeveria e Kosovës buxhetin, do të jetë e vështirë të intervenojmë. Ne e kemi miratuar buxhetin në nivel komunal, por që buxheti 2026 të jetë i plotfuqishëm duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës. Nga ana tjetër, dihet se Kuvendi ende nuk është konstituar. Kemi telashe me plot projekte”, ka thënë Gllareva.
Ai ka shtuar se pa zhbllokimin e procesit buxhetor në nivel qendror, komuna ka vështirësi serioze për të realizuar edhe projekte emergjente infrastrukturore.
Ndërkohë, ura mbetet e mbyllur, ndërsa banorët e zonës vazhdojnë të presin një zgjidhje, pa asnjë afat të qartë se kur do të rikthehet qarkullimi normal. /Kujdestari.info/
