Komuna e Prizrenit duket se nuk është kursyer fort kur bëhet fjalë për shpenzimet e administratës, shkruan Kujdestari.info.
Vetëm gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026 janë shpenzuar 59 mijë euro për dreka zyrtare, ndërsa raporti financiar nxjerr në pah edhe dhjetëra mijëra euro për karburante, mirëmbajtje veturash, mobilje dhe kategori të tjera. Shifrat tregojnë se drekat, veturat dhe pajisja e zyrave kanë marrë një pjesë jo të vogël nga kuleta publike
Sipas raportit “Shpenzimet sipas kategorive”, i cili përfshin periudhën 1 janar–31 korrik 2026, në kategorinë “Drekat zyrtare” figuron shuma prej saktësisht 59,000.80 euro.

Kjo do të thotë se Komuna e Prizrenit ka shpenzuar mesatarisht rreth 8,429 euro në muaj, apo rreth 277 euro për çdo ditë kalendarike, vetëm në këtë kategori.
Në të njëjtin raport ekziston veçmas kategoria “Furnizim me ushqim dhe pije (jo dreka zyrtare)”, për të cilën gjatë së njëjtës periudhë janë shpenzuar edhe 141,250.66 euro. (DOKUMENT)
Mijëra euro për udhëtime dhe akomodim
Raporti evidenton edhe shpenzime për udhëtime zyrtare. Për udhëtime brenda vendit janë shpenzuar 455,461.62 euro, ndërsa vetëm për akomodime për udhëtime zyrtare brenda vendit figurojnë 3,190 euro. Për udhëtime jashtë vendit janë regjistruar 5,667.32 euro, për mëditje jashtë vendit 7,308.05 euro, ndërsa në kategoritë e tjera të akomodimit dhe udhëtimeve zyrtare figurojnë edhe 2,040.27 dhe 3,178.24 euro.
Në total, vetëm kategoritë e evidentuara të udhëtimeve, akomodimit dhe mëditjeve arrijnë në qindra mijëra euro, me pjesën dërrmuese të shumës të regjistruar te udhëtimet brenda vendit.
Edhe mirëmbajtja e veturave kushtoi mbi 58 mijë euro
Për karburante për vetura janë shpenzuar 75,339.43 euro, ndërsa për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve edhe 58,266.40 euro. Sigurimi i automjeteve ka kushtuar 6,604.10 euro, ndërsa regjistrimi dhe kontrollimi teknik rreth 4,490 euro të tjera.
Në total, Komuna e Prizrenit raporton 54.85 milionë euro shpenzime deri më 31 korrik 2026, nga 75.42 milionë euro të planifikuara, ose 72.73 për qind të shumës së paraqitur në raport. /Kujdestari.info/
Lexo edhe: