E martë, 27 Janar, 2026

Komuna e Prishtinës rikthehet te negociimi pa publikim për mbeturinat, kontratë deri në 950 mijë euro

Ndaj

Komuna e Prishtinës ka lidhur sërish kontrata për shërbimin e grumbullimit, transportimit dhe deponimit të mbeturinave në kontejnerë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Sipas njoftimit B08 për dhënie të kontratës, të përgatitur më 23 janar 2026, bëhet fjalë për një kontratë kornizë gjashtëmujore, të ndarë në dy llote, me vlerë maksimale të parashikuar deri në 950 mijë euro, e cila do të vlejë deri në shpenzimin e plotë të kësaj shume, shkruan Kujdestari.info.

Shërbimi në fjalë ka të bëjë me mbeturinat në kontejnerë, një veprimtari që tradicionalisht kryhet nga ndërmarrja publike “Pastrimi”. Megjithatë, edhe kësaj radhe, Komuna ka përfshirë operatorë privatë për mbulimin e disa zonave të qytetit, duke i dhënë kontratat përmes një procedure që, në vitet e fundit, ka qenë shpesh objekt kritikash nga institucionet e auditimit dhe raportimeve mediatike.

Kontrata është dhënë në dy llote.
Loti i parë i është ndarë grupit të operatorëve Selmans Network Sh.p.k. dhe Mardem Group Sh.p.k., ndërsa Loti i dytë grupit Ledi Sh.p.k., Rahovica Commerce Sh.p.k. dhe Quality Asphalt Sh.p.k..

Çmimi është përcaktuar për njësi shërbimi dhe jo si shumë fikse mujore apo vjetore. Kontrata parashikon që shërbimi të vazhdojë deri në momentin kur të shpenzohet shuma maksimale prej 950 mijë eurosh, pavarësisht nëse kjo ndodh para ose brenda afatit gjashtëmujor.

Një praktikë e njohur nga viti paraprak

Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim për shërbime komunale në Prishtinë nuk është rast i izoluar. Gjatë vitit 2024, Komuna kishte shpenzuar miliona euro përmes kontratave të mbyllura, duke anashkaluar procedurat e hapura dhe konkurruese, si dhe duke mos e përfshirë ndërmarrjen publike “Pastrimi” në disa raste kyçe.

Këto praktika janë trajtuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e cila në raportin e saj për pasqyrat financiare të Komunës së Prishtinës ka identifikuar përdorim të pajustifikuar të procedurës së negociuar pa publikim, në kushte që nuk përmbushnin kriteret ligjore për emergjencë apo paparashikueshmëri.

Në mesin e kontratave të përmendura nga Auditori ishte edhe ajo për angazhimin e makinerisë shtesë për mbeturina, me vlerë rreth 1 milion euro, e arsyetuar nga Komuna si situatë emergjente. Sipas ZKA-së, kjo situatë nuk ishte as e papritur dhe as e paparashikueshme, pasi aktiviteti ishte i përfshirë në planin vjetor të prokurimit dhe problemet me “Pastrimin” ishin të njohura më herët.

Raporti me ndërmarrjen publike “Pastrimi”

Edhe në rastin aktual, dokumentet e publikuara nuk sqarojnë në mënyrë të detajuar raportin ndërmjet operatorëve privatë dhe ndërmarrjes publike “Pastrimi”, e cila vazhdon të kryejë të njëjtin shërbim në pjesë të qytetit. Nuk specifikohet ndarja e zonave, as mënyra e koordinimit operacional, duke lënë hapësirë për paqartësi lidhur me menaxhimin e përgjithshëm të këtij shërbimi esencial.

Kjo çështje merr peshë shtesë duke pasur parasysh edhe zhvillimet e mëparshme ligjore. Gjykata Supreme ka konfirmuar se Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave, e miratuar nga Kuvendi Komunal në dhjetor 2023, mbetet në fuqi dhe se qytetarët janë të obliguar t’i paguajnë faturat për mbeturina te “Pastrimi”. Ky vendim ka sqaruar kompetencat e ndërmarrjes publike dhe ka rrëzuar përpjekjet e Komunës për ta ndryshuar mënyrën e inkasimit.

Kriza me mbeturinat në Prishtinë kulmoi në maj të vitit 2025, kur “Pastrimi” ndërpreu shërbimet për shkak të borxhit të papaguar nga Komuna, i cili arrinte në rreth 2.7 milionë euro. Pas kësaj, qyteti u përball me grumbullim masiv të mbeturinave dhe protesta të punëtorëve, duke e rikthyer çështjen e menaxhimit të mbeturinave në fokus të debatit publik.

Në këtë kontekst, kontrata e re për 950 mijë euro, e dhënë sërish përmes negociimit pa publikim, shihet si vazhdimësi e një modeli që ka qenë më herët objekt vërejtjesh nga Auditori dhe kritikash nga shoqëria civile dhe mediat.

Edhe pse Komuna ka vepruar në kuadër të një procedure të paraparë me ligj, përsëritja e kësaj forme prokurimi për shërbime të vazhdueshme dhe të parashikueshme mbetet çështje që kërkon sqarim më të detajuar për publikun. Sidomos në një sektor ku ekziston një ndërmarrje publike funksionale dhe ku janë shpenzuar shuma të mëdha të parasë publike në vitet e fundit.

Kontrata aktuale do të jetë valide vetëm deri në shpenzimin e shumës maksimale prej 950 mijë eurosh. Pas kësaj, Komuna do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me të njëjtin model apo do të orientohet drejt procedurave më të hapura dhe konkurruese për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera