E premte, 6 Mars, 2026

Komuna e Prishtinës ndryshon kriteret për konkursin e memorial “Adem Jashari”, pas gabimit në kreditet universitare

Ndaj

Memoriali përkujtimor “Adem Jashari”, një nga projektet më simbolike që Komuna e Prishtinës ka premtuar që prej fillimit të mandatit, po stërgjatët proceduralisht përsëri, ndërkohë qe ka dështuar dy herë që të finalizohet një procedurë e prokurimit, shkruan Kujdestari.info.

Komuna e Prishtinës është detyruar të ndryshojë kriteret profesionale në konkursin për projektimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari”, pasi në dokumentet fillestare të tenderit kishte vendosur kërkesa joreale për nivelin e studimeve të stafit profesional.

Bëhet fjalë për konkursin e projektimit me numër prokurimi 616-25-11469-4-1-3, i cili parasheh shpërblime për tre projektet më të mira dhe kontratë për hartimin e projektit zbatues për fituesin.

Sipas dokumentacionit të konkursit, projekti fitues do të marrë kontratën për projektimin e plotë të memorialit, ndërsa për vendin e dytë dhe të tretë janë paraparë shpërblime prej 15 mijë euro dhe 10 mijë euro.

Megjithatë, vetëm disa javë pas publikimit të konkursit, komuna është detyruar të bëjë korrigjim të kritereve teknike, pasi kishte vendosur kërkesa të pazakonshme për kreditet akademike të disa profesionistëve që duhet të jenë pjesë e ekipit projektues.

Në dokumentin fillestar të konkursit, Komuna e Prishtinës kishte kërkuar që në ekip të përfshihet:

një skulptor me nivel MSc (400-500 ECTS)

një historian me nivel MSc (400-500 ECTS)

si dhe me përvojë pune disa vjeçare pas diplomimit.

Mirëpo kjo kërkesë është jashtë standardit të zakonshëm universitar në Evropë. Kjo pasi në sistemin e Bolonjës, studimet universitare zakonisht organizohen në këtë formë:

Bachelor: 180 ECTS

Master: 120 ECTS

Gjithsej 300 ECTS

Kjo do të thotë se shumica dërrmuese e profesionistëve me master kanë 300 ECTS, ndërsa kërkesa prej 400-500 ECTS është shumë e pazakontë dhe praktikisht nuk përkon me strukturën standarde të studimeve për këto profesione.

Komuna e korrigjon kriterin pas disa javësh

Komuna e Prishtinës e ka publikuar këtë konkurs projektimi më datë 24.12.2025. Pas publikimit, ajo ka bërë disa korrigjime në njoftimin për kontratë, kryesisht duke shtyrë afatin për hapjen e ofertave, i cili tashmë është caktuar për datën 10 mars.

Pas publikimit të konkursit, Komuna e Prishtinës ka publikuar një njoftim për përmirësim të gabimit, duke ndryshuar dje kriteret për këto dy profile.

Në dokumentin e korrigjuar kërkesa është ulur në MSc (300 ECTS) për skulptorin dhe MSc (300 ECTS) për historianin.

Kjo është një kërkesë që përputhet me standardin normal universitar dhe me shumicën e tenderëve publikë për staf profesional.

Mospërputhje me kriteret e tjera të tenderit

Ajo që e bën edhe më të çuditshme këtë situatë është fakti se në të njëjtën dosje tenderi shumica e profileve të tjera profesionale kërkohen pikërisht me 300 ECTS.

Për shembull, për: projekt menaxherin arkitekt, arkitektin e peizazhit, inxhinierët e ndërtimtarisë, gjeodezistin kërkohet nivel MSc (300 ECTS).

Kjo tregon se vetëm dy profile, skulptori dhe historiani –ishin vendosur fillimisht me një kërkesë shumë më të lartë dhe jo standarde për kreditet universitare.

Ndryshimi i bërë nga komuna tregon se kriteri fillestar mund të ketë qenë një gabim në hartimin e dosjes së tenderit.

Në prokurimin publik, kërkesat për kualifikim duhet të jenë proporcionale dhe të lidhura me objektin e kontratës, në mënyrë që të mos kufizojnë konkurrencën.

Nëse kriteri prej 400-500 ECTS do të mbetej në fuqi, shumë profesionistë me master standard do të mbeteshin automatikisht jashtë konkurrencës. Kjo është arsyeja pse korrigjimi i kriterit është bërë përmes një njoftimi zyrtar për përmirësim të gabimit.

Memoriali “Adem Jashari” dështoi dy herë- askush nuk guxon të marrë përsipër projektin

Derisa komuna hapi tender për këtë punë në dhjetor të vitit të kaluar. Deri në atë kohë, konkursi kishte dështuar dy herë.

Herën e parafundit, kjo nismë kishte mbetur pa asnjë ofertues. Procesi kishte ngecur që në hapjen e ofertave, pasi më 3 nëntor 2025, komisioni komunal konstatoi se në garë nuk ishte paraqitur asnjë operator ekonomik.

Dështimi i radhës vinte pas një sërë komplikimesh dhe një historie që nis më herët, kur Komuna e Prishtinës kishte provuar ta realizonte konkursin përmes Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit (SHAK). Atëkohë, pas një gare me disa pjesëmarrës, Komuna kishte përzgjedhur disa projekte finaliste dhe i kishte ekspozuar në hollin e komunës, me idenë që qytetarët të votonin për propozimin më të mirë.

Por procesi nuk shkoi deri në fund. Edhe pse votimi u mbajt, rezultati nuk u publikua kurrë.

Kryetari Përparim Rama, i pyetur në një debat politik se pse kishte ngecur projekti, kishte konfirmuar publikisht se projektet nuk i kishin pëlqyer Familjes Jashari, e cila konsiderohet palë kyçe në miratimin final të çdo memoriali që mban emrin e komandantit legjendar të UÇK-së.

Pas kundërshtimit të familjes, Komuna u detyrua ta anuloj procesin e parë dhe të shpallë konkurs të ri, këtë herë me rregulla të reja dhe me vlerë 150 mijë euro.

Konkursi i ri ishte hap më 19 shtator, por vetëm pak javë më vonë, rezultati ishte i njëjtë si dështimi: asnjë ofertë nuk u dorëzua. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera