Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, ka nxjerrë vendim për caktimin e kushteve ndërtimore për Universitetin e Prishtinës- Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë/Qendrën për mbarështim artificial, për ndërtimin e një kompleksi me ndërtesa bujqësore në kuadër të Planit Zhvillimor Urban të Prishtinës, shkruan Kujdestari.info.
Sipas vendimit, bëhet fjalë për ndërtimin e dy objekteve me destinim blegtoral: Ndërtesa “1” -fermë për lopë me etazhitet P+0, dhe Ndërtesa “2” – fermë për dele, dhi, kuaj dhe shpezë, po ashtu me etazhitet P+0
Projekti është paraparë në parcelën kadastrale nr. 1539-1, ZK Prishtinë, në një zonë që në dokument përshkruhet si “zonë ekonomike” sipas Planit Zhvillimor Urban.

Çfarë janë kushtet ndërtimore?
Kushtet ndërtimore përbëjnë fazën paraprake të lejes së ndërtimit. Ato përcaktojnë parametrat urbanistikë dhe teknikë mbi të cilët hartohet projekti kryesor, duke përfshirë koeficientët e shfrytëzimit të parcelës, distancat nga kufijtë, qasjen në rrugë, lidhjet me infrastrukturën dhe kërkesat për dokumentacion shtesë.
Vetëm pas përmbushjes së këtyre kushteve dhe dorëzimit të projektit kryesor, investitori mund të aplikojë për leje ndërtimore.
Parametrat urbanistikë dhe sipërfaqja
Në dokument jepen koeficientët e shfrytëzimit të parcelës. Koeficienti i shfrytëzimit në bazë (ISHP) është maksimalisht 0.4 (40%), ndërsa sipas llogaritjes së bërë mbi 3000 m², rezulton se lejohen deri në 1200 m² sipërfaqe në bazë, ndërsa sipas projektit të propozuar parashihet një sipërfaqe prej 502.50 m².
Në të njëjtin dokument përmendet se parcela kadastrale ka sipërfaqe prej 68,208 m² , çka nënkupton se llogaritjet urbanistike janë bërë mbi një pjesë të kufizuar të parcelës. Dokumenti nuk e shpjegon në detaje arsyen e përdorimit të bazës 3000 m² për llogaritje, gjë që mbetet çështje teknike për interpretim urbanistik.
Po ashtu, koeficienti minimal për hapësira të gjelbra (ISHPGJ) përcaktohet 40%, ndërsa sipas projektit të propozuar, sipërfaqja e gjelbërimit rezulton 2,498.50 m².
Qasja dhe infrastruktura
Vendimi parashikon se qasja në parcelë realizohet përmes rrugës ekzistuese, ndërsa në arsyetim theksohet se zgjidhja e propozuar për kyçje mund të pranohet, me kusht që të përshtatet teknikisht rruga ekzistuese dhe të aplikohen standardet përkatëse
Po ashtu, theksohet se në perimetër prej 50 metrash nga parcela përfshihen ndërtesa shkollore, element që e bën projektin më të ndjeshëm nga aspekti i planifikimit hapësinor, ndonëse në dokument konstatohet se kërkesa është në harmoni me destinimin dhe kriteret e Planit Zhvillimor Urban
Dokumentacioni dhe aspekti mjedisor
Vendimi kërkon hartimin e dokumentacionit ndërtimor, përfshirë projektin arkitektonik, projektet e instalimeve dhe strukturës, si dhe përgatitjen e Elaboratit për Leje Mjedisore Komunale
Në dokument theksohet se aplikuesi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë projektin konceptual dhe provat mbi pronësinë, dhe se projekti është vlerësuar në përputhje me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Planifikim Hapësinor
Konteksti urbanistik
Elementi që tërheq vëmendje në këtë rast është fakti se në një zonë të kategorizuar si “zonë ekonomike”, Komuna e Prishtinës ka caktuar kushte ndërtimore për ndërtim të fermave për lopë, dele dhe dhi, për nevoja të Fakultetit të Bujqësisë. Dokumenti nuk evidenton kundërshtim formal me planin urban, por kombinimi i destinimit ekonomik me funksion blegtoral mund të hapë debat mbi interpretimin e përdorimit të tokës në këtë zonë.
Gjithashtu, projekti parasheh ndërtimin e stallave të reja për lopë dhe për dele e dhi, si pjesë e zgjerimit ose riorganizimit të kapaciteteve ekzistuese të Fakultetit të Bujqësisë, duke e lidhur investimin me funksionin akademik dhe kërkimor të institucionit.
Vendimi për kushtet ndërtimore ka vlefshmëri njëvjeçare, me mundësi vazhdimi, nëse nuk ndryshon gjendja ekzistuese apo dokumentet e planifikimit hapësinor
Në këtë fazë, bëhet fjalë për caktim kushtesh ndërtimore dhe jo për leje ndërtimi përfundimtare. Faza e radhës do të jetë dorëzimi i projektit kryesor dhe aplikimi për leje ndërtimore, ku do të shqyrtohen në detaje të gjitha aspektet teknike, infrastrukturore dhe mjedisore të projektit. /Kujdestari.info/