Komuna e Prishtinës ka vazhduar bashkëfinancimin e festivalit “Sunny Hill”, duke ia dhënë kompanisë “The Sunny Hill” një kontratë të re prej 149 mijë e 910 eurosh. Kontrata është dhënë me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit dhe me vetëm një ofertues. Kjo ka ndodhur pavarësisht se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte konstatuar se kryetari Përparim Rama ishte në konflikt interesi kur kishte nënshkruar një kontratë të mëparshme me kompaninë e lidhur me Dukagjin Lipën. Sipas informacioneve që ka siguruar Kujdestari.info, çështja e lidhur me këtë vendim ende nuk është shqyrtuar nga gjykata.
Komuna e Prishtinës ka vendosur ta mbështesë përsëri me para publike festivalin “Sunny Hill”, duke ia dhënë kompanisë organizatore një kontratë me vlerë afër 150 mijë euro.
Njoftimi për dhënien e kontratës është përgatitur më 31 korrik 2026, ndërsa aktiviteti i prokurimit mban numrin 616-26-5778-2-1-5. Autoritet kontraktues është Kuvendi i Komunës së Prishtinës, ndërsa kontrata është klasifikuar si kontratë për shërbime.
Titulli i kontratës është “Organizimi i festivalit Sunny Hill – Bashkëfinancim me negocim”. Në dokumentin e prokurimit ishte parashikuar vlera prej 150 mijë eurosh, ndërsa Komuna kishte zgjedhur procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë.
Në procedurë është pranuar vetëm një tender. Kontrata i është dhënë kompanisë “The Sunny Hill” Sh.P.K., me pronarë Dukagjin Lipa. Sipas njoftimit, data e dhënies dhe data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës kanë qenë 31 korriku 2026.
Kontrata e re pas konstatimit për konflikt interesi
Dhënia e kësaj kontrate merr peshë të veçantë për shkak të vendimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me një kontratë të mëparshme për organizimin e të njëjtit festival.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është institucioni përgjegjës për zbatimin e ligjeve që synojnë parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit në sektorin publik.
Një nga ligjet kryesore që duhet ta zbatojë ky institucion është Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Qëllimi i tij është që zyrtarët publikë të veprojnë në mënyrë të paanshme, objektive dhe transparente, duke shmangur situatat në të cilat interesat personale, familjare apo afariste mund të ndikojnë ose të krijojnë përshtypjen se ndikojnë në vendimmarrjen publike.
Sipas vendimit, Rama, në cilësinë e kryetarit të Komunës, kishte rënë ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit duke nënshkruar kontratën për bashkëfinancimin e “Sunny Hillit” me operatorin ekonomik “The Sunny Hill” Sh.P.K., pronar i së cilës në vendim identifikohet me inicialet D.L.
Agjencia kishte konstatuar shkelje të nenit 6 dhe nenit 17, të ndërlidhura me dispozitat e nenit 3 dhe nenit 9 të ligjit.
Në vendim thuhet se konflikti i interesit lind kur një zyrtar ka një interes privat që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare.
Agjencia kishte paralajmëruar gjithashtu se do ta procedonte rastin në gjykatën kompetente për inicimin e procedurës kundërvajtëse.
Lidhjet e mëparshme biznesore mes Ramës dhe familjes Lipa
Në qendër të konstatimit të Agjencisë ishin marrëdhëniet e mëparshme afariste ndërmjet Përparim Ramës dhe Dukagjin Lipës, i cili lidhet me kompaninë dhe festivalin “Sunny Hill”.
Gjatë procedurës administrative, Rama kishte pranuar se kompania e tij në Londër, “4M Group”, kishte kryer punë projektuese për familjen Lipa.
Sipas deklarimit të tij para Agjencisë, ai kishte dizajnuar dy shtëpi të familjes Lipa në Londër. Kontrata ishte nënshkruar më 5 nëntor 2020, ndërsa pagesa e fundit për projektin ishte realizuar më 27 maj 2022.
Dokumentacioni i Agjencisë tregon se më 24 korrik 2024 ishte nënshkruar kontrata për organizimin dhe bashkëfinancimin e festivalit “Sunny Hill”, ndërsa marrëdhënia paraprake kontraktuale ndërmjet Ramës dhe familjes Lipa kishte përfunduar më pak se pesë vjet para nënshkrimit të saj.
Pikërisht periudha pesëvjeçare ishte një nga elementet kryesore mbi të cilat Agjencia e kishte mbështetur konstatimin e konfliktit të interesit.
Sipas arsyetimit të Agjencisë, Rama, përmes kompanisë së tij “4M Group”, kishte pasur marrëdhënie kontraktuale afariste gjatë pesë vjetëve të fundit me përfaqësuesin e subjektit ekonomik që kishte përfituar kontratën publike.
Agjencia kishte vlerësuar se Rama kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje duke e nënshkruar kontratën me “The Sunny Hill”, ndonëse kishte pasur marrëdhënie të mëhershme biznesore me personin e lidhur me kompaninë përfituese.
Për këtë arsye, sipas vendimit, ishte plotësuar kushti i ekzistimit të një interesi privat në raport me një organizatë me të cilën zyrtari kishte pasur marrëdhënie afariste.
Në këtë kuptim, Agjencia kishte konstatuar se Rama duhej ta deklaronte interesin privat dhe të tërhiqej nga vendimmarrja për këtë çështje.
Rama arsyetohej me pronësinë intelektuale të festivalit
Gjatë procedurës para Agjencisë, kryetari Përparim Rama kishte kundërshtuar pretendimin se ndodhej në konflikt interesi.
Ai kishte argumentuar se festivali “Sunny Hill” ishte i mbrojtur në kuptim të pronësisë intelektuale dhe se asnjë operator tjetër ekonomik nuk mund ta organizonte të njëjtin festival.
Sipas këtij arsyetimi, Komuna nuk kishte pasur mundësi ta hapte aktivitetin për konkurrencë mes operatorëve të ndryshëm, pasi emri, koncepti dhe të drejtat për organizimin e festivalit i përkisnin kompanisë “The Sunny Hill”.
Rama kishte theksuar gjithashtu se kontratat e mëparshme të Komunës për organizime artistike nuk kishin të bënin me organizimin e festivalit “Sunny Hill” dhe se bëhej fjalë për kontrata me objekt dhe qëllim tjetër.
Por këto argumente nuk e kishin bindur Agjencinë.
Për Agjencinë, çështja kryesore nuk ishte nëse një kompani tjetër mund ta organizonte festivalin me të njëjtin emër, por fakti se zyrtari që kishte marrë pjesë në vendimmarrje kishte pasur marrëdhënie të dokumentuar kontraktuale me personin e lidhur me përfituesin e kontratës.
Prandaj, pronësia intelektuale e festivalit nuk e përjashtonte detyrimin e Ramës që ta deklaronte interesin e tij dhe të tërhiqej nga procesi i vendimmarrjes.
Në dispozitivin e vendimit, Agjencia kishte deklaruar se do ta iniciojë procedurën kundërvajtëse në gjykatën kompetente.
Vendimi ishte shpallur përfundimtar në procedurën administrative të zhvilluar brenda Agjencisë dhe ishte paraparë të publikohej në faqen zyrtare të institucionit.
Megjithatë, sipas informacioneve që ka siguruar Kujdestari.info, lënda gjyqësore e lidhur me këtë rast ende nuk është shqyrtuar.
Kjo do të thotë se, ndonëse institucioni përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit kishte konstatuar shkeljen dhe kishte paralajmëruar procedurë në gjykatë, ende nuk ka një vendim gjyqësor përfundimtar që do ta trajtonte përgjegjësinë e Ramës.
Festival me bileta deri në 800 euro
Bashkëfinancimi publik vjen në kohën kur “Sunny Hill” zhvillon një aktivitet të madh komercial përmes shitjes së biletave, parkingjeve, sponsorëve dhe shërbimeve të tjera.
Për edicionin e vitit 2026, festivali ka publikuar disa kategori biletash. Bileta “Sunny Hill Believer” ka kushtuar 110 euro, “Early Bird” 165 euro, ndërsa bileta e rregullt treditore 195 euro.
Biletat VIP janë ofruar me çmime prej 400 dhe 500 eurosh, ndërsa paketa VIP për qasje në dy skena ka arritur në 800 euro. Organizatorët kanë sqaruar se nuk shiten bileta njëditore, por vetëm bileta që vlejnë për të tria ditët e festivalit.
Përveç biletave të festivalit, parkingu i rregullt për tri ditë është ofruar me çmim prej 60 eurosh, ndërsa parkingu VIP deri në 120 euro.
Sipas një përllogaritje filelstare të hyrat nga shitja e biletave mund të kenë arritur rreth 10 milionë euro për tri ditët e festivalit.
Megjithatë, kjo shumë nuk mund të trajtohet si e ardhur e konfirmuar pa publikimin e numrit të saktë të biletave të shitura sipas kategorive.
Për ta arritur shumën prej 10 milionë euro vetëm me bileta të rregullta nga 195 euro, do të duhej të shiteshin rreth 51 mijë e 300 bileta treditore. Meqë festivali shet edhe bileta më të lira dhe kategori më të shtrenjta VIP, rezultati përfundimtar varet nga kombinimi i biletave të shitura.
17 hektarë për 99 vjet, investimi i premtuar ende nuk shihet
Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar në maj të vitit 2022 që kompanisë private “The Sunny Hill” Sh.P.K., të lidhur me Dukagjin Lipën, t’i jepeshin në shfrytëzim rreth 17 hektarë tokë komunale në Bërnicë të Poshtme, me afat maksimal deri në 99 vjet.
Vendimi ishte miratuar me 26 vota për, 19 kundër dhe tri abstenime, ndërsa marrëveshja parashihte rishikimin e vazhdimit të shfrytëzimit pas periudhave të caktuara. Përfaqësuesit e “Sunny Hillit” kishin deklaruar se në këtë hapësirë do të investoheshin rreth 7 milionë euro brenda shtatë vjetësh, për rregullimin e terrenit dhe krijimin e një infrastrukture që do të shërbente jo vetëm për festivalin, por edhe për aktivitete të tjera kulturore dhe për qytetarët. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë raport i detajuar që dëshmon realizimin e investimeve të premtuara në atë pronë, ndërsa hapësira nuk është zhvilluar ende në përmasat e projektit të paralajmëruar. Kjo e shton nevojën që Komuna të sqarojë se sa nga investimi i planifikuar është realizuar, a janë respektuar afatet dhe obligimet kontraktuale dhe çfarë mekanizmash mbikëqyrës janë përdorur për një pronë publike të dhënë në shfrytëzim afatgjatë.
Në fazën e shqyrtimit të vendimit, edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte kërkuar nga Komuna projektin e investitorit dhe planin dinamik të realizimit të investimeve, pasi këto dokumente mungonin në lëndën e dorëzuar për vlerësimin e ligjshmërisë. /Kujdestari.info/