Komuna e Prishtinës ka pranuar hapur një të vërtetë që qytetarët e dinin prej kohësh, se qyteti është mbuluar me gropa të hapura për ndërtesa pa leje, që rrezikojnë sigurinë publike dhe krijojnë një imazh të kaosit urbanistik, shkruan Kujdestari.info.
Komuna e Prishtinës ka nxjerrë një vendim të ri, i cili tregon më qartë se kurrë se kryeqyteti është i mbushur me ndërtime pa leje dhe gropa ndërtimore që rrezikojnë sigurinë publike. Në vend që të ketë rrënime të plota apo zgjidhje afatgjata, Komuna ka vendosur që këto gropa të mbushen “përkohësisht”, madje duke përdorur materiale inerte të nxjerra nga projektet publike.
Kujdestari.info e posedon këtë vëndim.

Vendimi i nënshkruar nga kryetari Përparim Rama thotë se mbushja e përkohshme do të bëhet në lokacionet ku tashmë ekzistojnë aktvendime për rrënim, por që për vite të tëra nuk janë ekzekutuar. Për realizimin e kësaj mase, do të kujdeset Drejtoria e Investimeve Kapitale, në bashkëpunim me drejtoritë e tjera të komunës.
Me këtë akt, Komuna në fakt pranon se ndërtime të shumta në Prishtinë janë bërë pa leje ose në kundërshtim me lejet ekzistuese, ndërsa qytetarëve u ofron një zgjidhje të përkohshme, mbushjen e gropave. Kritikët e shohin këtë si një masë gjysmake, që zgjidh vetëm pasojat, por jo problemin kryesor të legalitetit dhe kontrollit urbanistik.
Në dokument thuhet se inertet e marra nga punishtet e projekteve komunale mund të shfrytëzohen për këtë qëllim, gjithmonë me miratimin e menaxherëve të kontratave dhe nën mbikëqyrjen teknike.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, ndërsa mbetet të shihet nëse kjo masë do ta ndalë kaosin ndërtimor, apo do të jetë thjeshtë një mënyrë për të fshehur gjurmët e një urbanizimi të pakontrolluar. /Kujdestari.info/