Komuna e Obiliqit që udhëhiqet nga LDK, ka dhënë një tender në vlerë prej afro 6.9 milionë euro për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore. Kontrata i është dhënë kompanisë “All Zone” SH.P.K., ndonëse oferta e saj nuk ishte më e lira në garë, shkruan Kujdetari.info
Në këtë procedurë kanë konkurruar gjithsej katër kompani. Sipas dokumenteve të publikuara në e-prokurim, oferta fituese ishte në vlerë prej 6,893,858.91 euro, ndërsa një kompani tjetër kishte ofertuar për të njëjtin projekt me çmim prej 5,865,211.19 euro, pra rreth 1 milion euro më pak.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania “All Zone” është themeluar në vitin 2008 dhe vepron në fushën e ndërtimit dhe ngrohjes qendrore, me seli në Prishtinë.
Pronar i saj deri në vitin 2015, ndërsa aktualisht drejtor i operacioneve, është biznesmeni Valon Zymberi. Ky i fundit kishte mbështetur publikisht kandidatin për kryetar të Prishtinës, Përparim Ramën, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021.
Kjo kompani ishte fuqizuar me tender në kohën e qeverisjes në Prishtinë nga Isa Mustafa, ndërsa tender po merr kohë pas kohe nga ndërmarrja e Prishtinës “Termokos”. /Kujdetari.info