Një vendim i OSHP-së për rishqyrtim të tenderit për furnizim me dru për ngrohje duket se ka mbetur letra e pa zbatuar në zyrat e Komunës së Kamenicës, shkruan Kujdestari.info.
OE “ARM ENERGY GROUP SH.P.K.”, që kishte parashtruar ankesën, ka dërguar kërkesë për rishqyrtim më 6 gusht 2025, por komuna ende nuk e ka zbatuar vendimin e panelit dhe procedura ecën në mënyrë të ngadaltë dhe të paqartë.
Eksperti thekson se Komuna nuk e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit gjatë shqyrtimit të ankese dhe nuk e ka njoftuar OE ankues për vonesën në marrjen e vendimit. Për më tepër, vendimi për aprovimin e pjesërisht të bazuar të kërkesës për ri-vlerësim është publikuar vetëm një ditë para dorëzimit të raportit të ekspertit, duke e bërë të qartë se zbatimi praktik i vendimeve të panelit mbetet më shumë formë se përmbajtje.
Tenderi i prokurimit, me numër KM653-25-4820-1-2-1, përfshinte Lot 1 për furnizim me dru për institucionet arsimore dhe Lot 2 për QKMF-në, me një vlerë totale të parashikuar prej 100,000 eurosh. Komisioni i vlerësimit kishte rekomanduar OE “LIMIII” SH.P.K. për Lot 1 dhe OE “Çlirim Berisha” B.I. për Lot 2, duke lënë ofertën e OE ankues si “e përgjegjshme por e pasuksesshme”. Megjithatë, ekspertët e OSHP-së kanë konstatuar se mënyra se si komuna ka menaxhuar ankesen ka shkaktuar zvarritje të panevojshme dhe ka cenuar parimin e transparencës dhe të barazisë në trajtimin e operatorëve ekonomikë.
Në këtë situatë, dilemat mbetet se sa i efektshëm është sistemi i prokurimeve kur vendimet e panelit mbeten të papërfillura dhe procedurat shtyhen pa njoftuar palët e përfshira. Nderkohë, raporti i ekspertit është i qartë: Komuna e Kamenicës ka vepruar në shkelje të pikave 2 dhe 6 të nenit 108A të LPP-së, duke lënë një precedent shqetësues për prokurimet e ardhshme. /Kujdestari.info/