Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka hapur thirrjen për aplikim në kuadër të programit të bonus-banimt, përkatësisht subvencionimit të qirasë për familjet në nevojë, shkruan Kujdestari.info.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikimi është hapur më 12 janar 2026 dhe do të jetë i hapur për 15 ditë pune, deri më 30 janar 2026.
Të drejtë aplikimi kanë familjet rezidente të Komunës së Gjilanit që nuk posedojnë banesë apo shtëpi në pronësi individuale, si dhe familjet me gjendje të rëndë ekonomike.
Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet në bazë të disa kritereve, përfshirë statusin e banimit, nivelin e të ardhurave, gjendjen shëndetësore, invaliditetin, si dhe strukturën familjare.
Për të aplikuar, qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, i cili përfshin, ndër të tjera, kërkesën sipas formës standarde, kopje të letërnjoftimit, ekstrakte të lindjes për anëtarët e familjes, dëshmi mbi gjendjen sociale, shëndetësore dhe pronësore, kontratën e noterizuar me qiradhënësin, si dhe konfirmimin e llogarisë bankare.


Nga Komuna e Gjilanit kanë bërë të ditur se kërkesat e dorëzuara pas afatit zyrtar nuk do të shqyrtohen, ndërsa ato do të refuzohen nga komisioni përkatës.
Informata shtesë rreth aplikimit mund të merren pranë Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Gjilanit. /Kujdestari.info/