E premte, 9 Janar, 2026

Komuna e Fushë-Kosovës ka shfuqizuar vendimin për kompensim të shpronësimeve përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit

Ndaj

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebeza ka marrë vendim për anulimin e plotë të Vendimit nr. 641, të datës 14 qershor 2023, të nxjerrë nga ish-kryetari i komunës, Burim Berisha, i cili kishte paraparë kompensimin e shpronësimit të pronave private përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit, shkruan Kujdestari.info.

Sipas vendimit të ri, të datës 24 dhjetor 2025, anulimi bëhet pas rishqyrtimit të ligjshmërisë së këtij akti administrativ dhe vlerësimit se ai është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për planifikimin hapësinor, shpronësimin dhe procedurën administrative.

Në dokument thuhet se vendimi i vitit 2023 ishte nxjerrë me qëllim të kompensimit të pronarëve të pronave private që potencialisht do të shpronësoheshin për interes publik, përkatësisht për realizimin e infrastrukturës rrugore, publike dhe sociale në territorin e Komunës së Fushë-Kosovës. Kompensimi ishte paraparë përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit dhe transferimit të sipërfaqeve ndërtimore në objekte banimi shumëbanesor.

Megjithatë, sipas arsyetimit të Kryetarit të Komunës, zbatimi i këtij vendimi në procedurat e dhënies së lejeve ndërtimore ka prodhuar pasoja urbanistike, duke ndikuar në rritjen e dendësisë së banimit, shtimin e etazhitetit dhe rritjen e numrit të njësive banesore. Në raport theksohet se këto ndryshime kanë ndikuar negativisht në kushtet e jetesës, duke zvogëluar hapësirat e gjelbra, parkingjet dhe hapësirat e tjera publike të domosdoshme për një banim të qëndrueshëm.

Raporti vlerëson se kompensimi përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit nuk përbën kompensim real në kuptim të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, pasi vlera e tij konsiderohet hipotetike, e kushtëzuar dhe e varur nga faktorë të jashtëm. Po ashtu, sipas dokumentit, një formë e tillë kompensimi krijon favorizime të kundërligjshme për investitorë të caktuar.

Në arsyetim theksohet gjithashtu se Ligji për Planifikimin Hapësinor dhe aktet nënligjore përkatëse nuk i japin kryetarit të komunës kompetencë që të zëvendësojë mekanizmin ligjor të shpronësimit me instrumente urbanistike të përgjithshme. Sipas komunës, çdo rregullim i tillë do të duhej të normohej përmes një rregulloreje të veçantë për bonuset e zonimit, kompetencë kjo e Kuvendit Komunal.

Me anulimin e Vendimit nr. 641, anulohen edhe të gjitha veprimet juridike të ndërmarra në zbatim të tij, si dhe pasojat juridike që kanë rrjedhur nga zbatimi i vendimit. Për zbatimin e këtij vendimi janë obliguar Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Projektimit, Drejtoria e Inspektoratit, Drejtoria për Pronë, si dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër.

Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe, sipas këshillës juridike, ndaj tij mund të iniciohet konflikt administrativ pranë gjykatës kompetente brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e publikimit në ueb-faqen e Komunës. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera