Komuna e Prishtinës ka anuluar tenderin 100 mijë euro për shërbime të avokaturës dhe ndërmjetësimit, pas konstatimeve për shkelje ligjore në procesin e vlerësimit të ofertave. Vendimi erdhi pasi në procedurën e shqyrtimit u vlerësua se asnjë nga ofertat nuk i përmbushte kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në Ligjin për Prokurimin Publik, shkruan Kujdestari.info.
Komuna e anuloi në tërësi aktivitetin e prokurimit për “Shërbimet e përfaqësimit të avokaturës dhe procedurave të ndërmjetësimit”, me vlerë të parashikuar 100 mijë euro, pasi në procedurën e shqyrtimit administrativ janë konstatuar shkelje që kanë bërë të pamundur dhënien e ligjshme të kontratës. Bëhet fjalë për tenderin me numër 616-25-8826-2-2-1, i zhvilluar nga Komuna e Prishtinës me procedurë të hapur.
Dokumentet zyrtare të siguruara nga Kujdestari.info, përfshirë Vendimin e Panlit Shqyrtues dhe Raportin e Ekspertit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Paneli Shqyrtues vendosi të anulojë njoftimin për dhënie kontrate në kuadër të aktivitetit të prokurimit “Shërbimet e përfaqësimit të avokaturës dhe procedurave të ndërmjetësimit”, me numër 616-25-8826-2-2-1, duke arsyetuar se: “Në këtë aktivitet prokurimi nuk ekziston asnjë ofertë e përgjegjshme, pasi oferta e ankuesit është eliminuar për mangësi të konstatuara, ndërsa oferta e operatorit ekonomik të rekomanduar nuk i përmbush kriteret kualifikuese të përcaktuara në Dosjen e Tenderit dhe në Ligjin për Prokurimin Publik.”



Si rezultat i këtij vendimi, Komuna e Prishtinës anuloi në tërësi aktivitetin e prokurimit me vlerë të parashikuar 100 mijë euro dhe u tërhoq nga vendimi paraprak për dhënie kontrate, duke lënë të hapur mundësinë e ritenderimit nëse ekziston interes institucional.

Vendimi i Panelit erdhi pas shqyrtimit të një ankese të paraqitur më 15 janar 2026 nga operatori ekonomik “Avokatura Istrefi” SH.P.K., kundër njoftimit për dhënie kontrate me të cilin Autoriteti Kontraktues kishte rekomanduar për kontratë OE “Sejdiu & Qerkini” SHPK.
Në raportin e ekspertit, janë analizuar në detaje pretendimet e ankuesit lidhur me eliminimin e ofertës së tij dhe me përmbushjen e kritereve nga operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë. Eksperti shqyrtues ka vlerësuar se disa prej pretendimeve të ankuesit ishin të bazuara, ndërsa disa të tjera jo, mirëpo çështja kyçe rezultoi të ishte vlefshmëria e dokumentacionit të OE fitues. (RAPORTI)
Sipas raportit, operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë kishte paraqitur pesë marrëveshje bashkëpunimi për të dëshmuar kapacitetet teknike dhe profesionale. Megjithatë, njëra prej këtyre marrëveshjeve kishte afat të përcaktuar nga 1 tetori 2021 deri më 30 shtator 2022, pa asnjë dëshmi për përtrirje me shkrim pas skadimit të saj.
Eksperti ka konstatuar se një marrëveshje e tillë nuk mund të konsiderohet dëshmi valide në kohën e ofertimit dhe rrjedhimisht nuk përmbush kërkesat e Dosjes së Tenderit, duke e bërë të pasaktë vlerësimin e bërë nga Autoriteti Kontraktues .
Në përfundim të analizës, eksperti shqyrtues ka vlerësuar se në këtë aktivitet prokurimi nuk ekziston asnjë ofertë e përgjegjshme, pasi oferta e ankuesit ishte eliminuar për mangësi të konstatuara, ndërsa oferta e OE të rekomanduar nuk i përmbushte kriteret kualifikuese. Për këtë arsye, ai ka rekomanduar anulimin e njoftimit mbi vendimin e AK-së dhe, nëse ekziston interes, ritenderimin e aktivitetit.
Pas këtyre konstatimeve, Komuna e Prishtinës ka anuluar në tërësi këtë aktivitet të prokurimit, duke u tërhequr nga vendimi i saj për dhënie kontrate. Praktikisht, autoriteti kontraktues ka pranuar se procedura nuk mund të qëndrojë në fuqi në kushtet kur asnjë nga ofertat nuk plotëson kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në Ligjin për Prokurimin Publik.
Pas anulimit të aktivitetit të prokurimit, Komuna e Prishtinës pritet ta rifillojë procedurën nga fillimi, duke shpallur njoftim të ri për kontratë për të njëjtin shërbim të përfaqësimit të avokaturës dhe procedurave të ndërmjetësimit. Kjo bëhet edhe për faktin se kontrata e mëparshme që ishte në fuqi tashmë ka skaduar, çka e obligon autoritetin kontraktues që, nëse ekziston ende nevoja për këto shërbime, të zhvillojë një procedurë të re në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe kriteret e përcaktuara në dokumentacionin e tenderit. /Kujdestari.info/