E hënë, 18 Gusht, 2025

KOMF-i apel prindërve: Flisni me fëmijët për dhunën, edukoni për respektin dhe tolerancën

Ndaj

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka apeluar fuqishëm tek prindërit dhe familjet që të marrin një rol aktiv në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë, shkruan Kujdestari.info.

Sipas kësaj organizate, dhuna mes bashkëmoshatarëve po shfaqet gjithnjë e më hapur dhe po normalizohet si sjellje.

“Ky është një alarm serioz që kërkon veprim të menjëhershëm nga familjet, institucionet dhe e gjithë shoqëria, por mbi të gjitha nga familja, e cila mbetet mjedisi ku fëmijët formojnë vlerat dhe sjelljet e tyre”, thuhet në reagimin e KOMF.

KOMF bën thirrje që prindërit të flasin rregullisht dhe hapur me fëmijët për dukurinë e dhunës, format e saj, pasojat negative që ajo sjell në jetën dhe shëndetin mendor të fëmijëve, si dhe të promovojnë dhe edukojnë tek fëmijët e tyre, mënyra konstruktive dhe paqësore për të zgjidhur konfliktet. Edukimi për respekt, tolerancë dhe mirëkuptim duhet të fillojë në familje dhe të forcohet çdo ditë.

KOMF thotë se nevojitet që prindërit të:

  • Ndajnë kohë për biseda të hapura dhe të ndershme me fëmijët mbi dhunën dhe pasojat e saj.
  • Promovojnë dhe modelojnë tek fëmijët sjellje paqësore në marrëdhënie me të tjerët.
  • Monitorojnë dhe orientojnë përmbajtjet që fëmijët shohin dhe ndajnë, sidomos në rrjetet sociale.
  • Përkujdesen dhe monitorojnë mënyrën se si fëmijët e kalojnë kohën kur prindërit nuk janë të pranishëm.
  • Kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me shkollën për të mbështetur fëmijën.
  • Kërkojnë mbështetje profesionale kur fëmijët tregojnë shenja të stresit, ankthit ose sjelljeve agresive.

KOMF thekson se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt dhe mbrojtës. Prindërit apo kujdestarër ligjorë janë linja e parë e mbrojtjes dhe ndikimit pozitiv në jetën e fëmijëve të tyre. Duke folur me fëmijët, duke i dëgjuar ata dhe duke edukuar modele konstruktive e tolerante të sjelljes, ne të gjithë kontribuojmë në parandalimin e dhunës dhe në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt për fëmijët tanë. www.kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera