Vazhdimi i bllokimit të linjës së transmisionit Kosovë-Serbi, sipas ministres në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është përcjellë me pasoja financiare për Kosovën, ku bartja e një meagavati orë të energjisë ka kushtuar deri në 700 euro. Rizvanolli ka bërë të ditur se Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë që tash kryesohet nga Kosova, i ka dhënë afat Serbisë që deri më 1 korrik 2026 të lirojë linjat me Kosovën
Deri në 700 euro i ka kushtuar Kosovës transporti për një megavat orë energji në fund të vitit të shkuar, pa përfshirë çmimin e energjisë. Kjo kosto është paguar për shkak të bllokimit të linjave interkonektive nga Serbia. Problemet e njëjta kanë vazhduar edhe sivjet, kur importi u rrit në vlera rekorde.
Një ditë më parë, kur Kosova mori kryesimin e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, u mor vendimi për hapjen e rastit ndaj Serbisë. Për vendimin njoftoi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Serbia obligohet që deri më 1 korrik 2026, më së largu, ta hapë linjën dhe ta lirojë tregtimin në linjat dhe të lirojë linjat interkonektive me Kosovën që do të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe do të ketë ndikim në uljen e çmimeve të kapaciteteve interkonektive”, ka thënë Rizvanolli.
Shqetësimet nga Rizvanolli u paraqitën edhe brenda mbledhjes së Këshillit.
“Duhet të pranojmë se pengesa më kritike që kërkon veprim urgjent është vazhdimi i bllokimit të linjës së transmisionit Kosovë-Serbi nga EMS. Kjo duhet të trajtohet si një çështje me prioritet të lartë për tregun rajonal, për shkak që si pasojë e kësaj deri në 600 megavat kapacitet në kufirin Kosovë-Serbi mbeten të pashfrytëzueshme për shkëmbime komerciale, duke minuar drejtpërdrejt integrimin e tregut dhe sigurinë e furnizimit”, ka bërë të ditur ajo.
Si ilustrim, Rizvanolli përmendi datën 2 dhjetor 2024, kur çmimi i kapacitetit të transmisionit u rrit në 701 euro për megavat orë.
Problemet me bllokim të linjave nga Serbia janë evidentuar ndër vite edhe në raportet e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
“Bllokimi i linjave transmetuese pёr operim komercial dhe mosalokimi i kapacitetit transmetues në kufirin interkonektiv nё mes KOSTT-it dhe EMS-it ka vazhduar edhe në vitin 2024. Mungesa e kapaciteteve transmetuese ndërkufitare si rezultat i bllokimit të linjave interkonektive për operim komercial nga ana e Serbisë vazhdon të shkaktojë vështirësi serioze për tregtarët, siç është pengimi i tregtisë së energjisë në këtë kufi, duke reflektuar kështu me rritjen e çmimit të kapaciteteve ndërkufitare në kufijtë e tjerë dhe çmimin e importit të energjisë për Kosovën dhe për Evropën Juglindore, duke shkaktuar vështirësi në balancimin e sistemit”, thuhet në raportin e ZRRE-së.
Energjia elektrike që ka importuar Kosova ka ardhur kryesisht përmes Malit të Zi, ndërsa linjat me Serbinë janë të bllokuara.