Ndërtimi

Kërkoi 500 mijë euro nga Komuna e Prishtinës, Gjykata ia refuzon padinë kompanisë “As Project”

Nga Kujdestari Media

Gjykata Komerciale e Kosovës, (Dhomat e Shkallës së Parë) ka refuzuar si të pabazuar padinë e kompanisë N.P.Sh. “As Project”, e cila kërkonte nga Komuna e Prishtinës 500 mijë euro kompensim për dëm material dhe jomaterial, në një kontest që lidhet me një projekt ndërtimor në lagjen “Arbëria 3”, shkruan Kujdestari.info.

Aktgjykimi është nxjerrë më 5 qershor 2026 nga Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Komerciale. Padia ndaj Komunës ishte paraqitur fillimisht më 17 nëntor 2020.

Në qendër të kontestit është mënyra se si Komuna e Prishtinës kishte trajtuar kërkesat e kompanisë lidhur me lejen dhe realizimin e projektit të saj ndërtimor.

“As Project” pretendonte se që nga viti 2015 kishte aplikuar për leje ndërtimore për objektin në “Arbëria 3”, por se Komuna e kishte neglizhuar rastin dhe kishte favorizuar interesa të tjera. Kompania pretendonte gjithashtu se ndërhyrjet e Komunës dhe gjobat e shqiptuara i kishin shkaktuar probleme me blerësit dhe dëme në biznes. (DOKUMENT)

Pretendimi për 1,500 metra katrorë

Një prej pretendimeve kryesore të kompanisë kishte të bënte me koeficientin e ndërtimit.

Sipas pretendimeve të paraqitura nga përfaqësuesja e “As Project” para Gjykatës, pas ndryshimit të planit urbanistik, objektet e tjera në zonën “Arbëria 3” ishin trajtuar me koeficientin e ri 1.5, ndërsa objekti i kompanisë ishte trajtuar me koeficientin e vjetër 1.2.

Kompania pretendonte se në këtë mënyrë i ishin mohuar rreth 1,500 metra katrorë ndërtim.

“As Project” pretendonte se për vite kishte mbetur pa mundësi për ta zhvilluar projektin, duke pësuar dëme ndaj kompanisë ndërtuese, interesa dhe kamata bankare, shpenzime për qiratë e blerësve dhe dëmtime të materialeve ndërtimore.

Komuna kishte urdhëruar rrënimin e katit të tretë

Kontesti kishte përfshirë edhe katin e tretë të objektit në rrugën “Spiro Moisiu” në Prishtinë.

Më 1 korrik 2019, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës kishte urdhëruar “As Project” që ta rrënonte katin e tretë, me arsyetimin se ishte tejkaluar leja e ndërtimit, si dhe ta kthente hapësirën në gjendjen e mëparshme.

Kompania ishte ankuar ndaj vendimeve të Komunës.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e kishte aprovuar ankesën e “As Project”, kishte anuluar vendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave të Komunës dhe kishte kërkuar që çështja të trajtohej sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Sipas aktgjykimit, Ministria kishte obliguar Komunën që të mos ndërmerrte veprime dhe katin e tretë të ndërtuar pa leje ta trajtonte sipas këtij ligji.

Pse Gjykata ia refuzoi 500 mijë eurot?

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Gjykata Komerciale nuk e konsideroi të provuar pretendimin se Komuna e Prishtinës kishte përgjegjësi juridike për dëmin e pretenduar.

Sipas Gjykatës, vendimet e Ministrisë mbi të cilat mbështetej kompania nuk kishin karakter përfundimtar. Çështjet ishin kthyer për rivendosje në procedurë administrative dhe nuk ekzistonte një vendim përfundimtar që do ta vërtetonte kundërligjshmërinë e veprimeve të Komunës.

Gjykata vlerësoi se, përderisa procedura administrative nuk ishte përfunduar me një vendim të tillë, nuk ishte provuar një prej kushteve të domosdoshme për kompensimin e dëmit – veprimi i kundërligjshëm i të paditurës.

Përfundimisht, Gjykata e refuzoi në tërësi kërkesën e “As Project” për 500 mijë euro, duke konstatuar se me asnjë vendim administrativ apo gjyqësor nuk ishte vërtetuar kundërligjshmëria e Komunës së Prishtinës në veprimet ndaj objektit të kompanisë.

Gjykata refuzoi edhe propozimin për ekspertizë financiare për përcaktimin e dëmit, duke vlerësuar se një ekspertizë e tillë nuk do të ndikonte në përcaktimin e bazës së kërkesëpadisë.

Aktgjykimi i shkallës së parë parashihte të drejtën e palëve për ankesë brenda shtatë ditësh nga pranimi i tij. /Kujdestari.info/