Gazetari dhe moderatori i njohur, Adriatik Kelmendi, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj kompanisë postare N’Post, duke e quajtur “postën më idiote në vend”.
Në një status të gjatë në Facebook, Kelmendi ka rrëfyer përvojën e tij me këtë kompani, e cila, sipas tij, nuk ka arritur t’i dorëzojë një kartelë bankare të ProCredit Bank që nga e hëna, ndonëse shërbimi e cilëson veten si “postë e shpejtë”.
“N’Post, jo posta më stabile, por posta më idiote në vend, si shembull se çfarë shërbimesh idiote kanë disa kompani në Kosovë”, ka shkruar ai, duke treguar se për katër ditë me radhë nuk ka pranuar dërgesën, përkundër komunikimeve të vazhdueshme me stafin e kompanisë.
Sipas Kelmendit, edhe pse kishte kërkuar që dërgesa t’i sillte në mëngjes, postieri e kishte thirrur në mesditë, ndërsa kishte refuzuar ta linte kartelën në ndonjë vend të sigurt apo tek ndonjë person në lagje.
Pas kësaj, ai kishte marrë një SMS me përmbajtjen “Pranuesi nuk lajmërohet në telefon”, ndonëse, siç thotë, kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë.
“Prej të hënës deri të premten, krejt një javë nuk ma keni sjellë kartelën e bankës, material sensitiv, edhe thoni jeni postë e shpejtë?!”, ka reaguar Kelmendi, duke shtuar se do të bëjë publike këtë përvojë që, sipas tij, qytetarët të mos kenë më punë me këtë kompani.