Korporata Energjetike e Kosovës ka prezantuar marrëveshjen për shitjen e qymyrit kompanisë shtetërore të Maqedonisë së Veriut, JSC ESM, si rezultat të një procesi negociues dhe si një marrëveshje që i siguron KEK-ut çmim dhe të hyra të qëndrueshme për tre vitet e ardhshme, shkruan Kujdestari.info.
Në komunikatën e publikuar, KEK-u thekson se një nga elementet kryesore të kontratës është çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili do të mbetet i pandryshuar gjatë periudhës 36-mujore. Korporata e paraqet marrëveshjen si një hap të ri në bashkëpunimin me ESM-në, duke theksuar se eliminimi i ndërmjetësve ka mundësuar “maksimizimin e çmimit dhe përfitimeve”.
Megjithatë, dokumentet e aktivitetit të shitjes që i posedon redaksia tregojnë se çmimi prej 24.40 euro për ton nuk është përcaktuar vetëm pas negociatave me kompaninë maqedonase. (DOKUMENT)

Kjo dilema mbi mënyrën se si është paraqitur publikisht rezultati i marrëveshjes. Nëse çmimi minimal prej 24.40 euro për ton ishte vendosur nga KEK-u që në fillim të procesit, mbetet për t’u sqaruar se çfarë konkretisht është negociuar në aspektin e çmimit dhe në çfarë mënyre është “maksimizuar” ai, siç pretendon Korporata në komunikatën e saj.
Në Dosjen e Tenderit të përgatitur nga KEK-u që në janar të vitit 2026, për aktivitetin me numër referues KEKO-SHQ-26-001-815, ishte përcaktuar paraprakisht vlera e parashikuar prej 73.2 milionë euro, ndërsa çmimi rezervë, përkatësisht minimal, ishte caktuar në 24.40 euro për ton, pa TVSH. (DOKUMENT)

Një tjetër element që nuk theksohet në komunikatë është mënyra e zhvillimit të procedurës. Dosja fillestare e tenderit e përshkruan aktivitetin si shitje përmes “Ofertimit Publik” dhe është përgatitur më 9 janar 2026.
Por në njoftimin përfundimtar për dhënien e kontratës, KEK-u e ka regjistruar metodën e shitjes si “Procedura e negociuar për shitje”. Kontrata i është dhënë JSC Power Plants of North Macedonia AD ESM më 2 korrik 2026, me çmim total prej 73,200,000 euro. (DOKUMENT)
Dosja tregon gjithashtu se blerësi nuk do të marrë thjesht qymyr të gatshëm nga KEK-u. Sipas kushteve të aktivitetit, ESM-së i jepet mundësia që me pajisjet e veta të bëjë eksploatimin, përpunimin, ngarkimin dhe transportimin e qymyrit në hapësirat përkatëse të minierave.
Sasia e paraparë është rreth 3 milionë tonë për tre vjet, ndërsa dokumentacioni sqaron se ajo është indikative dhe se lejohet devijim prej plus ose minus 30 për qind.
Për këtë arsye, çështja që kërkon sqarim nuk është vetëm vlera prej 73.2 milionë eurosh e kontratës, por edhe si u zhvillua procedura nga janari deri në korrik, pse u kalua në negociim dhe çfarë përfitimi shtesë financiar sollën negociatat, nëse çmimi final ishte identik me çmimin minimal të përcaktuar paraprakisht nga KEK-u. /Kujdestari.info/