Ekonomia

KEK-u pagoi deri në 65 euro për një fidan që në treg kushtoi 1 euro

Nga Kujdestari Media

Qindra mijëra fidane të cilësisë së dobët dhe “jashtë çdo standardi” që kushtuan nga 40 centë deri 1 euro për fidan, KEK-u ua vlerësoi banorëve në Shipitullë dhe Sibovc me çmime që varionin nga 16 deri në 65 euro për copë.

Blerja masive e fidanëve nga banorët që e kaluan shpronësimin e vitit 2024 në fshatrat Shipitullë dhe Sibovc të Obiliqit ishte e organizuar dhe bëhej kryesisht në “tregun e zi”. Fidanët u importuan nga Serbia dhe Shqipëria me çmim “për toke” – nga 40 centë deri 1 euro për fidan – ndërsa KEK-u i kompensoi banorët nga 16 euro deri në 65 euro për copë.

Kjo është gjetja kryesore në pjesën e tretë të një hulumtimi në seri për shpronësimet e vitit 2024 në fshatrat përreth mihjeve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Përveç përfitimit të kundërligjshëm me ndërtim të shtëpive dhe manipulim të sipërfaqeve të objekteve, një nga format më fitimprurëse për banorët ishte edhe mbjellja masive e fidaneve.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar rrugët prej nga erdhën fidanët në Shipitullë dhe Sibovc, çmimin e tyre të tregut dhe cilësinë e fidanëve.

Sipas gjetjeve të auditorëve të brendshëm të KEK-ut, banorët e këtyre fshatrave arritën që të mbjellin rreth 200 mijë fidane jashtë çdo standardi, duke i shkaktuar KEK-ut një dëm prej rreth 6 milionë eurosh. Vetëm për pemishtet, humbjet e KEK-ut vlerësohen në rreth 2.45 milionë euro, si pasojë e kompensimit të pemëve të thara.

Në përgjithësi, blerja masive e fidanëve nga banorët ishte e organizuar dhe bëhej kryesisht në “tregun e zi”.

“Prej vitit 2017 blejnë fidane te ne”

Buletini Ekonomik nga bashkëpisedimi me banorët ka identifikuar së paku tre-katër pika në Kosovë prej nga banorët u furnizuan me fidanë.

Një nga to është fidanishtja “Bujari” e cila është e përqendruar në Kamenicë dhe është e licencuar për kultivim të fidanëve. Pronari, Bujar Rexha, ka pranuar se disa prej banorëve të Shipitullës i ka klientë “të rregullt” që nga viti 2017.

“Kanë ardhë me ble fidane edhe në vitin 2023-24, por ma pak. Prej vitit 2017 blejnë fidane te ne”, ka thënë Rexha, derisa ka përmendur një rast në valën e fundit të shpronësimit, se si pas marrjes së porosisë i kishte dërguar një kamion me 6 mijë trupa me arra në Shipitullë.

Arrat erdhën si import nga Shqipëria, pasi tregu i Kosovës nuk arrin t’i përmbushë nevojat e brendshme për fidanë.

“Kanë ardhën me kamiona me ble prej Shipitullës. Ne jemi për me shitë, nuk e kqyrim kush po blenë”, ka shtuar ai.

Sa i përket çmimit, Rexha thotë se fidanët ua shiti banorëve me një çmim prej 1 deri në 1.5 euro për copë.  Ndërsa, KEK-u për të njëjtat i kompensoi banorët nga 22 deri në 65 euro copën.

KEK i vlerësoi deri në 65 euro fidanët që kushtuan 1 euro për copë

Buletini Ekonomik nga vizitat në terren ka gjetur se arra është një nga fidanët që është mbjellë masivisht në valën e fundit të shpronësimeve. Kur ka kaluar më shumë se 1 vit nga shpronësimi, shumica e parcelave me arra duken të thara, të mbuluara nga shkurret dhe pa mirëmbajtje.

Gjendja e fidanëve që ishin shpronësuar në një parcelë në Shipitullë. Foto: Buletini Ekonomik

Një formë tjetër e përfitimit që vërehet në terren, por edhe nga bisedat me banorët, është mbjellja e fidanëve shumë afër njëra me tjetrën.

E tillë është edhe prona e N.M., i cili ka kërkuar të mbetet anonim. Ai e ka shoqëruar ekipin e Buletinit Ekonomik në parcelën e tij, ku, sipas tij, kishte mbjellë 4,200 trupa arra në një sipërfaqe prej 80 ari.

Mirëpo, sipas ekspertit dhe kultivuesit të fidanëve, Edmond Duhani, të cilin e ka konsultuar Buletini Ekonomik, në një hektar toke nuk duhet të mbillen më shumë se 280 trupa me arra.

Përveç afërsisë së trupave me arra jashtë standardeve, banori në fjalë e kishte blerë një fidan arrë me çmim minimal, jo më shumë se 1 euro copën, ndërsa KEK e kishte kompensuar me 32 euro për fidan.

“Nuk e kemi kqyr, kemi mbjell sa ma shumë”, ka thënë N.M, teksa ka sqaruar se si ka arritur të përfitojë mbi 100 mijë euro nga mbjellja e këtyre fidanëve.

Buletini Ekonomik ka biseduar edhe me një banor tjetër, i cili ka treguar se arrat që i kishte blerë nga 1 euro copën, KEK-u ia vlerësoi me 22 euro.

Këtë diferencë mes çmimit me të cilin u blenë arrat dhe kompensimit nga KEK-u e kanë konfirmuar edhe kultivuesit e fidanëve. Një nga ta është edhe Sabri Haxha, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të fidanëve në Ferizaj.

Atij nuk i është kujtuar nëse banorët e Shipitullës dhe Sibovcit kanë blerë direkt në pemishten e tij, por ka thënë se është e mundur që kanë blerë te tregtarët të cilët furnizohen me shumicë nga pemishtja e tij.

Çmimi për një fidan për të gjitha llojet e trupave në pemishten e tij varion nga 40 centë deri në 1 euro.

“Ata kanë marrë prej tregtarëve. Unë jam kultivues, jo tregtar. Unë veç me shumicë shes, tani tregtarët shesin në treg. Ka mundësi që ata kanë ble prej neve po përmes tregtarëve. Unë shes me shumicë. Cmimi edhe 1 euro, edhe 40 centë kom shit. Kena shit arra edhe 40 centë deri 1 euro me shumicë”, ka thënë Haxha.

Fidanët u importuan kryesisht nga Serbia

Vlerësohet se diku rreth 300 mijë trupa me fidanë janë të mbjellura aktualisht në Kosovë, por një problem mbetet “tregu i zi” i fidanëve që shiten nga tregtarë të ndryshëm, e të cilat kryesisht importohen nga Serbia.

Në Kosovë mund të numërohen ‘në gishta’ kultivuesit vendor të fidanëve. Edhe pronari i fidanishtes Bujari, e pranon se për shkak të porosive të shumta, një pjesë të fidanëve e importon nga Shqipëria dhe Serbia.

Një tjetër kultivues është fidanishtja Agro Duhani në Klinë, të cilën banorët e Shipitullës e kanë përmendur si një pikë tjetër ku blejnë fidanë.

Pronari Edmond Duhani, thotë se rreziku më i madh për këtë veprimtari mbetet tregu i zi, apo shitja e fidanëve nga tregtarët që nuk mund të garantojnë kurrfarë cilësie. Sipas tij, fidanët që shiten në tregun e zi kryesisht importohen nga Serbia me çmim shumë të ulët.

“90 për qind e fidanëve importohen nga Serbia. Këto të importit në treg të zi vijnë 1 euro copën. Këto që vijnë nga Serbia kurrë asnjo për mbi 1 euro copën nuk kushton”, ka thënë Duhani.

Tek Agro Duhani që kultivon fidane vendore, të gjitha llojet e fidanëve kanë një çmim prej 2 deri në 2.50 euro.

Kur është pyetur për cilësinë e fidanëve që vijnë nga Serbia, Duhani ka thënë shkurt “po të kallëzon çmimi se çfarë cilësie munden me qenë”.

Cilësia e dobët e fidanëve që shkuan në Shipitullë dhe Sibovc mund të shihet edhe nga gjendja e tyre në terren. Më pak se dy vjet prej kur janë mbjellur, pothuajse të gjitha parcelat duken të thara. Këtë e kanë konstatuar edhe auditorët e KEK-ut në raportin e tyre, ku thuhet se nga këto 200 mijë fidane që u mbollën, 123 mijë rezultuan se ishin të thata pas verifikimit në terren.

Parcelë tjetër me fidane të thara dhe pa mirëmajtje që ishin shpronësuar. Foto: Buletini Ekonomik

Rritja fiktive e numrit të fidanëve që u shpronësuan

Përveç mbivlerësimit të çmimit të fidanëve, një tjetër formë e mashtrimit, lidhet me rritjen në mënyrë fiktive të numrit të fidanëve që u shpronësuan. Auditorët e KEK-ut gjetën mospërputhje të madhe mes numrit të pemëve në terren dhe atyre që ishin vlerësuar nga kompania “Legal Solution Company”.

Kështu, në pakon 47/1, operatori ekonomik kishte evidentuar 582 pemë kumbulle, ndërsa verifikimi në terren nga auditorët konstatoi se në parcelë ndodheshin vetëm rreth 191 pemë, shumica prej të cilave ishin të pamirëmbajtura.

Auditimi e konsideron këtë rast si mbivlerësim si në numër, ashtu edhe në vlerë.

Në pakon 163, auditorët konstatuan se pemët dekorative ishin të thara, ndërsa pemët frutore, si mollët, dardhat dhe kumbullat, rezultonin të ishin fidanë të sapombjellë dhe të pamirëmbajtur. Sipas raportit, ato mezi dalloheshin nga bari i rritur në parcelë.

Edhe objekti banesor në të njëjtën pronë, sipas auditorëve, jepte shenja se nuk ishte në përdorim.

Auditimi evidenton gjithashtu se në pakot 175 dhe 182 ishin kompensuar fidane të mbjella gjatë fazës së vlerësimit në terren, apo pas datës së prerjes, periudhë pas së cilës investimet e reja nuk duhej të përfshiheshin në vlerësim. Sipas raportit, projekt-menaxheri nuk kishte arritur të siguronte dëshmi se operatorit ekonomik i ishte kërkuar që këta fidane të mos i kompensonte.

Raste të tjera të ngjashme janë evidentuar edhe në pakot 181, 183, 185 dhe 189/1. Në pakon 183, operatori kishte raportuar 1,900 pemë, ndërsa auditimi në terren numëroi vetëm rreth 900 fidane, pothuajse të gjitha të thara.

Në pakon 185, auditorët konstatuan se 189 pemë të reja të përfshira në vlerësim ishin të thara. Ndërkaq, në pakon 189/1, auditimi vlerësoi se një pemishte me arra ishte mbivlerësuar, pavarësisht mungesës së mirëmbajtjes.

Gjendje e ngjashme u evidentua edhe në pakon 181, ku nga mbi 2,300 pemë të raportuara nga operatori, shumica rezultuan të thara gjatë verifikimit në terren.

Përtej rasteve individuale, auditimi ngre një shqetësim edhe më të madh për të gjithë procesin e kompensimit të pemëve.

Sipas Planit të Veprimit për Zhvendosje, të hartuar nga operatori ekonomik, rreth 62 për qind e fidanëve të evidentuar ishin të tharë. Kjo nënkupton se, nga gjithsej 198,394 fidane të vlerësuara, rreth 123 mijë rezultonin të thata.

Pronari i kompanisë “Legal Solution Company”, sa i përket fidanëve fillimisht ka mohuar se ka pasur parregullsi, por ku është përballur me rastin e N.M, ai ka ndërruar fjalët.

“Nuk ka qenë punë e jona kjo, puna e jonë ka qenë incizimi i gjendjes në terren”, ka thënë Arifaj kur është pyetur për rastin konkret.

Për shpronësimin e fidanëve kanë qenë të përcaktuara disa kritere, si koha e mbjelljes dhe mosha e fidanëve, mirëpo çmimi me të cilin u shpronësuan është larg çmimit të tregut.