E mërkurë, 4 Mars, 2026

KEK shpërblen me 1.3 milionë euro, me negocim, kompaninë greke të përmendur në aktakuzën ndaj ish-kryeshefit të saj

Ndaj

Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re kundër ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Aktakuza lidhet me disa tenderë, përfshirë një kontratë të lidhur me një kompani të re nga Greqia. Kompania në fjalë është shpërblyer së fundmi me një tender me negocim nga KEK-u, shkruan Kujdestari.info.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka përmbyllur një tjetër procedurë me negocim për një kontratë milionëshe, duke shpallur fituese kompaninë greke TUV HELLAS (TUVNORD) SA për “Shërbimet e konsulencës për implementimin e projektit të rehabilitimit dhe modernizimit të njësisë A3 në TC ‘Kosova A’”.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrata është dhënë më 12 shkurt 2026, ndërsa nënshkrimi është planifikuar për 23 shkurt 2026. Vlera e përgjithshme e kontratës arrin në 1,373,284.00 euro.

Në këtë aktivitet prokurimi ftesat për negocim i janë derguar dy kompanive.

Përveç TUV HELLAS nga Greqia, në garë ka qenë edhe kompania kroate EKONERG – Energy Institute Oculis d.o.o., me seli në Zagreb, e cila ka ofertuar 1,485,620.00 euro.

EKONERG është një institut energjetik nga Kroacia që merret me projekte të inxhinierisë energjetike, analiza teknike dhe mbështetje për termocentrale dhe procese industriale. Oferta e saj rezultoi rreth 112 mijë euro më e lartë se ajo e kompanisë greke.

KEK ka vendosur ta shpërblejë operatorin me çmimin më të ulët.

Më 30 dhjetor 2024, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngriti aktakuzë kundër ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, si dhe ndaj zyrtarëve të tjerë, për veprime që dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme rreth 37 milionë euro gjatë viteve 2021–2023.

Në pikën e katërt të aktakuzës përmendet edhe kompania TUV HELLAS, në lidhje me një procedurë të negociuar për “blerjen e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kaldajave B1 dhe B2 në TC ‘Kosova B’”. Sipas aktakuzës, dyshohet për veprime në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Në të njëjtën aktakuzë përmendet edhe kompania greke ERGOTEM S.A, për të cilën pretendohet se ishte favorizuar në një procedurë tjetër tenderuese.

Rehabilitimi dhe modernizimi i njësisë A3 në TC “Kosova A” konsiderohet projekt me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike, ndërsa mbikëqyrja e implementimit përfshin përgjegjësi të larta teknike dhe financiare. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera