Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shënuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026. Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi në Termocentralin “Kosova A” ka qenë mbi 110 mijë megavat-orë (MWh) më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve paraprake, raporton Kujdestari.info.
Në njoftimin e KEK-ut thuhet se kjo rritje ka ardhur si rezultat i operimit stabil të njësive prodhuese dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve energjetike gjatë dy muajve të fundit.
“Këto rezultate janë dëshmi e punës profesionale, përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve, stafit teknik dhe operativ të KEK-ut”, thuhet në reagimin e korporatës.
Nga KEK theksohet se rritja e prodhimit kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë energjetike të vendit, duke zvogëluar nevojën për import të energjisë elektrike gjatë periudhave me kërkesë të lartë.
Korporata ka bërë të ditur se do të vazhdojë punën me përgjegjësi dhe profesionalizëm, me qëllim të sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë e vendit. /Kujdestari.info/
