Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) thotë se ka realizuar 97% të planit vjetor të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2025, sipas Bilancit Vjetor Energjetik të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Ky rezultat, sipas tyre, është arritur pavarësisht sfidave teknike dhe ndërhyrjeve kapitale për modernizimin e njësive gjeneruese, duke përfshirë modernizimin e turbinave në njësinë B2, remontet e rregullta vjetore si dhe zbatimin e projekteve kapitale në njësitë B1, B2 dhe A3.
Të dhënat mujore tregojnë se në disa periudha prodhimi ka tejkaluar planifikimin deri në 110%, ndërsa në dhjetor 2025 KEK ka realizuar 102% të planit, falë siç thonë ata, përfundimit të suksesshëm të remonteve dhe operimit paralel të pesë njësive gjeneruese.
KEK vlerëson tutje se ka ruajtur stabilitetin e sistemit energjetik kombëtar gjatë gjithë vitit, duke thënë se kanë përmbushur objektivat strategjike të prodhimit dhe duke dëshmuar përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit teknik dhe menaxherial.
“Ky rezultat konfirmon progresin e KEK-ut në procesin e transformimit dhe modernizimit, duke garantuar njëkohësisht sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit energjetik të Republikës së Kosovës”, vijon komunikata e KEK.