Korporata Energjetike e Kosovës njofton se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A vazhdon pa ndërprerje, pas marrjes së vendimit pozitiv nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
KEK-u përmes një njoftimi bën të ditur se ky projekt strategjik, i cili kishte pësuar një pezullim të përkohshëm për shkak të një ankese nga një Operator Ekonomik, ka marrë dritën e gjelbër për vazhdimësi. Më 10 korrik 2025, OSHP hodhi poshtë ankesën dhe konfirmoi ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të KEK-ut, duke autorizuar vazhdimin e prokurimit me numër reference KEK-25-58-5-1-4.
KEK-u rithekson angazhimin e saj për një proces transparent, me integritet dhe profesionalizëm, në përputhje me standardet më të larta të prokurimit publik dhe në bashkëpunim me ekspertët vendorë dhe konsulencën e USAID.
“Në kuadër të këtij procesi, më 17.07.2025, ora 13:00, në sallën e takimeve në Termocentralin Kosova B, do të zhvillohet hapja zyrtare e aplikimeve të Operatorëve Ekonomikë përmes platformës elektronike të e-prokurimit. Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetet sociale zyrtare të KEK-ut, duke mundësuar akses të plotë për publikun”, thuhet në njoftim
Tutje KEK-u thekson se mbetet e përkushtuar që projekti A3 të përfundojë me sukses, duke garantuar konkurrencë të ndershme, transparencë dhe respektim rigoroz të ligjit, për një të ardhme energjetike më të qëndrueshme për Kosovën.