Aktuale

73 milionë euro nga qymyri: KEK nënshkruan marrëveshjen trevjeçare me kompaninë maqedonase

Nga Kujdestari Media

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me kompaninë publike energjetike të Maqedonisë së Veriut, JSC ESM, për shitjen e qymyrit, marrëveshje vlera e së cilës mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro, raporton Kujdestari.info.

Sipas njoftimit të KEK-ut, kontrata është nënshkruar më 14 gusht 2026 dhe parasheh një çmim prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili do të mbetet i pandryshuar gjatë gjithë periudhës 36-mujore.

KEK thotë se marrëveshja synon t’u ofrojë të dyja kompanive stabilitet afatgjatë dhe të zvogëlojë ekspozimin ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

KEK nuk do ta bartë koston e transportit

Një prej pikave të marrëveshjes, sipas Korporatës, është se KEK-u nuk do të ketë obligime për eskavimin, transportin e qymyrit apo operacionet e tjera logjistike që lidhen me tërheqjen e tij.

Këto përgjegjësi do t’i bartë blerësi, JSC ESM, ndërsa KEK-u do t’i inkasojë mjetet drejtpërdrejt nga kompania maqedonase për sasinë e qymyrit të tërhequr.

Korporata vlerëson se të hyrat nga kjo kontratë do të ndihmojnë në mbulimin e kostove operative dhe kapitale, në një periudhë kur KEK-u është duke realizuar investime në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike.

Një pjesë e mjeteve, sipas njoftimit, pritet të orientohet edhe në modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit, me synim rritjen e kapaciteteve, efikasitetit dhe sigurisë së operacioneve minerare.

KEK: Për herë të parë pa ndërmjetësues privat

KEK-u ka theksuar se një veçanti e marrëveshjes është fakti që kontrata është lidhur drejtpërdrejt me JSC ESM, kompani publike energjetike e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Korporatës, në të kaluarën kontratat ishin lidhur me operatorë ekonomikë privatë që shërbenin si ndërmjetësues, derisa përdoruesi përfundimtar i qymyrit ishte JSC ESM.

Me kontratën e re, KEK pretendon se eliminimi i ndërmjetësimit i mundëson Korporatës të maksimizojë çmimin dhe përfitimet nga shitja, pasi qymyri do t’i shitet drejtpërdrejt përdoruesit përfundimtar.

Në anën tjetër, kompania maqedonase siguron furnizim afatgjatë me qymyr me çmim dhe cilësi të përcaktuar.

KEK-u e ka cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se ajo mund të kontribuojë në sigurinë energjetike dhe në thellimin e bashkëpunimit rajonal.

“Besojmë se kjo marrëveshje shënon fillimin e një kapitulli të ri dhe edhe më të fuqishëm të bashkëpunimit energjetik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatën e KEK-ut. /Kujdestari.info/