E diel, 1 Shkurt, 2026

KEK kapet “me duar në tender”: OSHP konstaton manipulim dhe favorizim të tregut

Ndaj

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është zënë duke manipuluar procedurën e prokurimit publik për furnizim me acid klorhidrik, duke vendosur kritere teknike të panevojshme dhe diskriminuese me qëllim uljen e konkurrencës në treg. Kjo del qartë nga vendimi përfundimtar i Panelit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik N.T.SH. “BIZUN” dhe ka anuluar njoftimin për kontratë të KEK-ut për tenderin me vlerë të parashikuar prej 884 mijë eurosh, shkruan Kujdestari.info.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka tentuar ta realizojë një tender në mënyrë të tillë që gara të mos ishte reale, duke vendosur kritere teknike të dizajnuara për të përjashtuar pjesën më të madhe të operatorëve ekonomikë. Kjo tentativë për manipulim të procedurës së prokurimit është zbuluar dhe ndalur nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i cili ka anuluar tërësisht tenderin për furnizim me acid klorhidrik me vlerë të parashikuar rreth 884 mijë euro.

Sipas vendimit përfundimtar të OSHP-së, KEK kishte hartuar dosjen e tenderit duke futur kritere që nuk burojnë nga nevojat reale të përdorimit industrial të acidit klorhidrik, por nga standarde që përdoren për trajtimin e ujërave të pijshëm. Në këtë mënyrë, procedura ishte e orientuar që në start drejt uljes së konkurrencës dhe krijimit të avantazhit për furnitorë të caktuar.

Raporti i OSHP-së sqaron se KEK kishte kërkuar standardin EN 939:2016, i cili është i dedikuar ekskluzivisht për acid klorhidrik që përdoret në ujëra për konsum njerëzor. Ndërkohë, acidi klorhidrik në termocentralet e KEK-ut përdoret për procese industriale dhe historikisht nuk ka pasur nevojë për këtë standard.

Edhe pasi ky standard u hoq pjesërisht nga dokumentet e tenderit, KEK la në fuqi një parametër teknik që buron drejtpërdrejt nga ai standard – “komponimet organike të halogjenizuara”. Sipas OSHP-së, ky veprim dëshmon përpjekjen e autoritetit kontraktues për ta mbajtur gjallë kriterin diskriminues, ndonëse ishte sqaruar se ai nuk kishte lidhje me përdorimin industrial të produktit.

Eksperti i pavarur i angazhuar nga OSHP ka konstatuar se këto kritere janë vendosur në kundërshtim me parimin e barazisë në trajtim dhe përbëjnë shkelje të nenit 7 të Ligjit për Prokurim Publik. Në raport thuhet qartë se kërkesat teknike të KEK-ut nuk kanë justifikim profesional dhe shërbejnë vetëm për të kufizuar konkurrencën në treg.

Sipas raportit, në rajon ekzistojnë shumë pak prodhues të këtij lloji të acidit klorhidrik dhe kriteret e vendosura nga KEK do ta kufizonin tenderin pothuajse në një furnitor të vetëm. Një situatë e tillë, sipas OSHP-së, krijon rrezik serioz për rritje të çmimit dhe dëm të drejtpërdrejtë për paranë publike, duke cenuar qëllimin kryesor të ligjit për shpenzim sa më efikas të buxhetit të shtetit.

Pas shqyrtimit të plotë të provave dhe raportit të ekspertit, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka konstatuar se KEK nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore për prokurim publik. Për këtë arsye, OSHP ka vendosur anulimin e njoftimit për kontratë dhe e ka obliguar KEK-un që ta rishkruajë dosjen e tenderit dhe ta zgjasë afatin për ofertim.

Zyra e Prokurimit e KEK-ut e ka anuluar javën e kaluar në tërësi procedurën e prokurimit. Sipas arsyetimit të autoritetit kontraktues, anulimi është bërë pasi dosja e tenderit ka pësuar ndryshime të mëdha, si në FTD ashtu edhe në specifikacionet teknike.

Meqenëse dosja e tenderit ka pësuar ndryshime të mëdha në FTD dhe në specifikacionet teknike, Autoriteti Kontraktues do të bëjë anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit dhe do ta ri-tenderojë sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në arsyetimin e anulimit.

Mbetet të shihet nëse operatorët ekonomikë të interesuar për këtë tender do të pajtohen me këtë arsyetim, pasi ata kanë të drejtë ankese edhe në këtë fazë. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera