Derisa bujqësia në Kosovë përballet me kosto të larta dhe pasiguri tregu, qepa del si një nga kulturat më të sigurta për fermerët që kanë tokë dhe kërkojnë stabilitet. Të dhënat zyrtare tregojnë se pavarësisht prodhimit vendor, Kosova vazhdon të importojë sasi të mëdha qepësh çdo vit, çka e bën këtë kulturë një mundësi reale për zgjerim të prodhimit vendas, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit “Analiza e Sektorit të Perimeve 2021–2023”, i publikuar së fundmi nga Ministria Bujqësisë, qepa renditet si kultura e pestë për nga sipërfaqja e mbjellë në Kosovë. Në aspektin tregtar, ajo zë vendin e pestë në eksport dhe të gjashtin në import, duke dëshmuar rëndësinë që ka në zinxhirin ushqimor të vendit.
Vetëm gjatë vitit 2023, prodhimi vendor i qepës në Kosovë arriti në 19,012 tonë. Ky prodhim mbuloi rreth 76 për qind të nevojave për konsum, që paraqet një rritje prej pesë pikë përqindje krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, edhe kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për ta eliminuar varësinë nga importi.
Të dhënat tregojnë se Kosova ka importuar 6,563 tonë qepë vetëm në vitin 2023. Një vit më herët, në 2022, importi ishte 8,220 tonë, ndërsa në vitin 2021 kishte arritur në 9,477 tonë. Mesatarja e importit për periudhën trevjeçare llogaritet në rreth 8,087 tonë në vit, çka dëshmon se qepa vazhdon të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të konsumit përmes tregjeve të huaja.
Edhe vlera financiare e importit mbetet e lartë. Në vitin 2023, Kosova shpenzoi rreth 4 milionë euro për import të qepës, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2022, kur vlera e importit ishte rreth 2.3 milionë euro. Pjesa dërrmuese e kësaj sasie përbëhet nga qepa e freskët, me një çmim mesatar prej 0.37 euro për kilogram, ndërsa qepa e tharë importohet me çmime dukshëm më të larta.
Në aspektin e origjinës, struktura e importit ka ndryshuar ndër vite. Në vitin 2022, qepa importohej kryesisht nga Serbia, Shqipëria dhe Holanda, ndërsa në vitin 2023 në krye të listës dolën Holanda, India, Maqedonia e Veriut dhe Egjipti. Kjo tregon se tregu kosovar është i hapur dhe i varur nga furnizues të shumtë të jashtëm.
Ndërkohë, eksporti i qepës nga Kosova, edhe pse në rritje, mbetet relativisht i ulët. Nga vetëm 12 tonë sa ishin eksportuar në vitin 2021, sasia u rrit në 485 tonë në vitin 2022 dhe në 656 tonë në vitin 2023. Rritja vjetore e eksportit në vitin e fundit ishte mbi 35 për qind, ndërsa vlera e përgjithshme e eksportit arriti në 227 mijë euro. Megjithatë, këto shifra nuk e kompensojnë aspak deficitin e krijuar nga importi.
Bilanci i përgjithshëm për vitin 2023 tregon qartë se tregu i qepës në Kosovë nuk është i ngopur me prodhim vendor, raporton Kujdestari.info.
Me 19,012 tonë prodhim, 6,563 tonë import dhe vetëm 656 tonë eksport, qepa vazhdon të mbetet një kulturë ku kërkesa tejkalon ofertën vendase, veçanërisht jashtë sezonit të vjeljes.
Sipas raportit, arsyet kryesore pse importi vazhdon edhe pse qepa prodhohet në Kosovë lidhen me prodhimin sezonal, mungesën e kapaciteteve për ruajtje afatgjatë dhe pamundësinë për furnizim të vazhdueshëm të tregut gjatë gjithë vitit.
Në këtë kontekst, shifrat flasin qartë. Qepa është një produkt me konsum të sigurt, treg të qëndrueshëm dhe kërkesë të vazhdueshme. Për fermerët që kanë tokë bujqësore dhe kapacitete prodhuese, kjo kulturë mbetet një nga alternativat më reale për zgjerim të prodhimit vendor dhe ulje të varësisë nga importi. /Kujdestari.info/