Hiç më pak se 141 zyrtarë publik nuk e kanë mbushur obligimin që ia përcakton ligji për deklarim të pasurisë.
Nga 96 raste sa kishin qenë në vitin e kaluar për mos deklarim të pasurisë brenda afatit kohor dhe ligjor, ky numër është rritur në 141 duke iu shmangur ligjit për deklarimin e pasurisë.
Këtë për FrontOnline e ka konfirmuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, duke thënë se derisa vitin e kaluar ishin 96 raste që nuk kishin deklaruar pasurinë, ky numër është rritur në këtë vit në 141 zyrtarë publikë që janë shmangur nga përgjegjësia dhe obligimi ligjor apo që i bie se janë 45 zyrtarë publikë më shumë krahasuar me vitin e kaluar që janë shmangur nga zbatimi i ligjit.
“Bazuar në evidencat zyrtare, 141 zyrtarë publikë nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarim të pasurisë brenda afatit të përcaktuar. Ky numër paraqet një rritje krahasuar me vitin paraprak, kur ishin evidentuar 96 raste të mosdeklarimit në kohë’’ deklaruan nga APK për FrontOnline.
Sipas APK-së ndaj personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë shqiptuar gjoba dhe masa kundërvajtëse.
‘’Korniza ligjore që rregullon procesin e deklarimit të pasurisë dhe kompetencat e Agjencisë nuk parasheh ndonjë afat shtesë për deklarim pa pasoja juridike. Për këtë arsye, ndaj të gjithë zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor, Agjencia ka shqiptuar gjoba dhe masa të tjera kundërvajtëse, si dhe ka ndërmarrë veprime të tjera të parapara me legjislacionin në fuqi’’ deklaruan nga kjo agjenci.
Agjencia për parandalimin e Korrupsionit për FrontOnline ka treguar se janë rreth 10.700 zyrtarë publikë që janë të obliguar me ligj për të bërë deklarimin e pasurisë.