E premte, 13 Mars, 2026

Janar-nëntor 2025, afër 1 miliard euro investime të huaja direkte në Kosovë

Ndaj

Kosova iu afrua shifrës një miliard euro investime të huaja direkte në 11 muajt e vitit 2025, nga janari deri në nëntor 2025. Sipas Bankës Qendrore të Kososvës, deri në fund të nëntorit 2025, janë regjistruar 934 milionë euro investime të huaja direkte.

Sipas BQK-së, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, ku investimet e huaja direkte në Kosovë kapën vlerën e 728 milionë eurove, gjatë vitit 2025 vërehet një rritje prej afërsisht 28.3%.

“Sektorët që kanë pranuar pjesën më të madhe të investimeve të huaja direkte janë: Sektori i patundshmërisë; Aktivitetet financiare dhe të sigurimit; Informacioni dhe telekomunikimi; Industria përpunuese (prodhimi); Tregtia me shumicë dhe pakicë.”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Deri në fund të muajit nëntor të vitit 2025, sipas BQK-së investimet e huaja direkte u rritën nga Gjermania, Sllovenia, Zvicra, Franca, Kroacia dhe Hungaria, ndërsa me rënie të lehtë janë Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Shqipëria.

Nga janari deri në fund të nëntorit 2025, investimet direkte jashtë Kosovës arritën vlerën e mbi 327 milionë eurove apo mbi 66% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Sipas të dhënave të BQK-së, deri në fund të muajit nëntor 2025, investimet direkte neto të rezidentëve kosovarë jashtë Kosovës kanë arritur vlerën prej 327.67 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024 ku investimet direkte neto jashtë Kosovës ishin rreth 196.68 milionë euro, që tregon një rritje prej 66.60% gjatë vitit 2025.”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Sipas BQK-se, sektorët ku kosovarët kanë investuar më së shumti janë patundshmëria, me 217.87 milionë euro apo 66.49% të totalit të investimeve jashtë vendit, e ndjekur nga tregtia me pakicë dhe shumicë me 37.71 milionë euro apo 11.51%. Më pas vjen sektori i prodhimit, me 29.31 milionë euro apo  8.94%, ndërsa 42.78 milionë euro apo 13.06% janë investuar në sektorë të tjerë.

Sa i përket vlerës së investimeve të huaja direkte në Kosovë, Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) mbështetet në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Në një përgjigje për KALLXO.com, duke u bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore, KIESA kishte thënë se në janar 2024 vlera e investimeve të huaja direkte ishte 81.1 milionë euro; në shkurt 80.3 milionë; mars 23.8 milionë; në prill 60.5 milionë euro; në maj 76.5 milionë; në qershor 67 milionë; në korrik 75.2 milionë; në gusht 76.9 milionë; në shtator 92.9 milionë; në tetor 55.6 milionë; në nëntor 60.2 milionë; kurse në dhjetor 67.6 milionë.

Kurse në janar 2025 vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë ishte 78.6 milionë euro; në shkurt 61.2 milionë euro; në mars 57.8 milionë euro; në prill 79.2 milionë; në maj 88.1 milionë kurse në qershor 76.4 milionë.

KIESA ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar 2024 – janar 2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2,385 biznese të reja me kapital të huaj ose të përzier.

Më 12.02.2026, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), paraqiti progresin e arritjeve kryesore të saj, sipas raportit “Raporti i Progresit 22 mars 2021 – 11 shkurt 2026”.

MINT tregon se sa biznese u regjistruan nga marsi i vitit 2015 deri në janarin e vitit 2026.

“Të dhënat për bizneset e regjistruara tregojnë një trend të qartë rritës në vitet e fundit. Në periudhën 01 mars 2015 – 28 shkurt 2020 janë regjistruar 49,546 biznese, ndërsa nga 01 mars 2021 deri më 31 janar 2026 janë regjistruar 57,543 biznese, që paraqet një rritje prej rreth 16.1%. Kjo dëshmon për një dinamikë më të lartë të aktivitetit sipërmarrës dhe një klimë më të favorshme për zhvillimin e biznesit.”-thuhet në mes tjerash në njoftimin e MINT.

Sipas ministrisë, janë regjistruar 858 biznese të reja në komunat veriore të vendit. Nga kjo ministri bëhet e ditur se rritje të theksuar pati edhe te numri i bizneseve me pronar të huaj.

“Po ashtu, rritje e theksuar është shënuar edhe te bizneset me pronar të huaj. Nga 3,408 biznese në periudhën 1 mars 2015 – 28 shkurt 2020, numri është rritur në 5,649 në periudhën 1 mars 2021 – 31 janar 2026, që përfaqëson një rritje prej rreth 65.8%. Ky zhvillim reflekton rritjen e interesimit të investitorëve të huaj dhe forcimin e besimit në tregun vendor.”- bën të ditur MINT. /Kallxo.com

Lexo më shumë

Të tjera